MPB u jep vërtetime qytetarëve për dokumentet që nuk e përmbajnë emrin e ri Maqedonia e Veriut

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e informon opinionin se deri në ndryshimin e të gjitha dokumenteve që mbajnë emrin e ri, do të japë vërtetime për qytetarët për dokumentet që jepen nga Ministria (letërnjoftime, vërtetime për nënshtetësi, patentë shoferi) të cilat nuk e përmbajnë emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, njofton Portalb.mk.

“Me këto vërtetime konfirmohet vërtetësia e dokumenteve që prezantohen jashtë vendit, gjegjësisht në ambasadat e shtetit që atë e kërkojnë. Vërtetimet janë me vulë të re dhe me emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga MPB.

Vërtetimet jepen në Sektorin për Punë Qytetare për shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe për personat që disponojnë me mbrojtje ndërkombëtare në shtet, ndërkaq në Sektorin për Punë Kufitare dhe Migrime për të huaj të cilët në çfarëdo baze qëndrojnë në shtet.

Kjo procedurë vijon pas marrëveshjes përfundimtare me Marrëveshjen e Prespës në lidhje me çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Theksojmë se për udhëtim jashtë vendit, qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk u duhet kurrëfar vërtetimi, por mund të udhëtojnë me dokumentin e udhëtimit që e posedojnë, ndërkaq në dalje të shtetit në dokumentin e udhëtimit vendoset vulë se dokumenti i udhëtimit është në pronësi të Maqedonisë së Veriut”, shtojnë nga MPB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button