Sërish shtyrje, në mars do të lëshohet në përdorim objekti i rinovuar i Teatrit Shqiptar të Shkupit
Objekti i rinovuar i Teatrit Shqiptar nuk u lëshua në përdorim as në janar, dhe e njëjta u paralajmërua se do të ndodh në fund të tremujorit të parë (muaji mars). Në ndërkohë duhet të realizohen kontrollet teknike dhe të sigurohet leja për përdorim, e cila procedurë duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2019-të, transmeton Portalb.mk.
“Duam t’ju informojmë se rinovimi i objektit është në fazën përfundimtare, (përkatësisht në rrjedhë është realizimi i punëve ndërtimore të zejtarisë, punëve enteriere dhe vendosja e pajisjes)”, njoftuan nga Ministria e Kulturës (MK).
Nga MK-ja thanë se faza përfundimtare pritet të përfundojë në muajin mars, sepse tash janë duke u realizuar kontrollet teknike interne për mënjanim të mangësive eventuale. Në ndërkohë duhet të realizohet edhe procedura për sigurim të lejes së përdorimit, e cila pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2019-të.
“Objekti duhet të lëshohet në përdorim pas sigurimit të lejes për përdorim. Pas përfundimit të punëve ndërtimore nga ana e realizuesit, që pritet të jetë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, do të bëhet kontrolli teknik intern, mënjanimi i mangësive eventuale, sigurimi i lejeve për përdorimin e sistemeve të veçanta, instalimeve dhe pajisjeve, dhe pas kompletimit të gjithë dokumentacionit do të zbatohet kontrolli teknik. Gjithë procedura për sigurimin e lejes për përdorim duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti”, thanë nga MK-ja.
Që objekti të jetë në përdorim, nuk duhet të pritet përfundimi i procedurave të sigurimit të lejes së përdorimit. Duke u bazuar në përvojat e deritashme të ngjashme të institucioneve të tjera në Maqedoni, nga Teatri Shqiptar i Shkupit u shprehën optimist se objekti pritet të lëshohet në përdorim më së voni në muajin maj.
Sa i takon marrjes së lejet për përdorim, nga atje sqaruan se ajo parasheh periudhë gjatë të cilës pritet që të merret trajnim për përdorimin e sistemeve të reja të instaluara.
“Marrja e lejes së përdorimit është edhe data e fillimit të transferit të sistemeve nga realizuesi te punonjësit tanë, përkatësisht trajnimi i tyre për përdorimin e sistemeve të reja. Gjatë kësaj periudhe Teatri duhet të realizoj edhe furnizimet me pajisje dhe aparaturë që nuk janë përfshirë në furnizimin e deritanishëm (pajisjet dhe rrjeti kompjuterik, makinat për punëtoritë e ngjashëm), si dhe të ekipohet me burime njerëzore komfor nevojave të reja. Kur të vihen të gjitha këto në funksion, do të filloj realizimi i shfaqjes për hapjen solemne të objektit”, thanë nga Teatri.
Shfaqja e parë në objektin e rinovuar – në tremujorin e tretë
Sipas llogaritjeve, kjo procedurë pritet të përfundojë deri në fund të pranverës, e ndërkaq shfaqje teatrore në objektin e rinovuar pritet të ketë në tremujorin e tretë të vitit 2019-të.
“Nga koha se kur do të lëshohet leja e përdorimit të objektit varet nëse Teatri do të mbyll këtë sezon me shfaqjen për hapje ose do të hap sezonin tjetër me këtë projekt”, thanë nga Teatri.
Përndryshe, fundi i muajit mars është hera e katërt brenda një viti që është duke u paralajmëruar lëshimi në përdorim i objektit të rinovuar të Teatrit Shqiptar të Shkupit. Data e parë ishte për në fund të muajit maj, e dytë në muajin tetor të 2018-s, e tretë për në muajin janar të 2019-s kurse tash u tha për në fund të muajit mars të 2019-s.
“Rinovimi i Teatrit Shqiptar është në fazën përfundimtare dhe i njëjti pritet të përfundojë deri në fund të vitit. Pasi të kryhen të gjitha testimet e objektit dhe teknikës, Ansambli i Teatrit Shqiptar përsëri do të vazhdojë me punë prej janarit të vitit 2019”, thanë për Portalb.mk nga MK-ja më 30 tetor të 2018-s.
Ndryshe, Teatri Shqiptar i Shkupit është duke u rinovuar që nga viti 2014-të, por kjo nuk e ka penguar realizimin e projekteve. Mesatarisht vitin e kanë shënuar me tre shfaqje në vit.
Rinovimi i Teatrit Shqiptar të Shkupit shpesh herë ka ditur të përdoret edhe nga partitë si “përfitim” pikësh politike, por që asnjëra prej tyre në programin e tyre zgjedhor nuk shpalosi një hap konkret për këtë dhe institucionet tjera të rëndësishme kulturore.