Maqedonasit sipas dijetarëve shqiptarë

Gjatë dyzet viteve të shkuara më ka rënë të lexoj artikuj e vepra, në të cilat përmenden Maqedonia dhe maqedonasit e vjetër. Të dhëna të këtilla gjejmë me shumicë edhe në veprat e dijetarëve tanë (kronikanëve, historianëve, shkrimtarëve…), disa prej të cilave po i sjell për lexuesit e respektuar të PortAlbit.

Kështu, në parathënien e veprës monumentale “Çeta e profetëve”, të botuar në vitin 1685 dhe të shkruar shqip dhe italisht, Pjetër Bogdani e pa të arsyeshme t’u kërkojë ndjesë lexuesve italianë për lëshimet eventuale të përvjedhura në pjesën e shkruar italisht: “Nëse dielli i ka dangët e veta dhe drita hijet e veta; nëse qielli i ka shkërbat e veta, muk të takon as ty, lexues, të befasohesh, po qe se, duke lexuar librin tim, gjen ndonjë gabim. Po të njoftoj, sa për t’u arsyetuar, se shtypshkronja nuk ka shjronja shqipe, kurse unë, duke qenë i lindur maqedonas, nuk arrita ta zotëroj italishten plotësisht.

E qartë: Bogdani e quan veten maqedonas, në kuptimin e arbëneshit (shqiptarit), sepse asokohe një krahinë e Shqipërisë veriore quhej: Macedonia Occidentale (Maqedonia Perëndimore), emërtim ky i shfrytëzuar edhe prej dijetarëve të tjerë të së shkuarës…

Dy shekuj më vonë (1886), Naim Frashëri botoi në greqishte poezinë e famshme “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” (“O alithis pothos ton Skipetaron”), me të cilën ua bën me dije fqinjëve hilet e vazhdueshme ndaj shqiptarëve, të cilët u flijuan më shumë se një herë edhe për lirinë e tyre… Ndërmjet tjerash, Naimi shkruan:

Maqedonët tjetër s’qenë veçse baballarët tanë.

Shumë shkronjës si Plutarku, Demosteni dhe Straboni

Me shokët e tyre thonë se ngahera kombi ynë

Ishte si dhe sot fisnik, trim, hyjnor, i madhërishëm.

Si dhe ne, ata po qenë shqipëtarë të kulluar…”

Të kësaj kohe janë dhe të dhënat e Sami Frashërit lidhur me Maqedoninë dhe maqedonasit e dikurshëm.

Në Enciklopedinë“Kâmûs al-a’lâm” (1889-1898), Samiu shkruan se: Shqiptarët e lashtë (Pellazgët) ndaheshin në 4 degë: Ilirë, Maqedonas, Trakas dhe Frigas. Por, më të afërt për nga zakonet dhe e folmja ishin ilirët dhe maqedonasit. Ai pohon se gjuha që flisnin ata ishte një gjuhë e vetme.

Më tej, Samiu flet për tri shtetet që kishin formuar fiset shqiptare: njërin në Shkodër, tjetrin në Epir dhe të tretin në Pella, afër Jenixhes së Vardarit (kasaba e kohës), e njohur si shteti i Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar plotësisht, veçmas pas bëmave të Lekës së Madh, që, përkundër faktit se për nga origjina e gjuha ishte maqedonas  dhe nuk i donte grekët, u shkollua në gjuhën greke…

Për këtë temë Samiu shkroi më gjerësisht në veprën programatike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899). Të lexojmë në vijim disa fragmente interesante:

“Kur në të gjashtët shekull të Krishtit, Bullgarët – komp tatar dhe Serbët’ e Kroatëtë – kombe shqeh, hynë në Sinisit të Ballkanit si mizëri dhe mbuluan’ edhe më të shumën e Maqedonisë, duke nxjerë Pelasgëtë andej e duke u përzjerë me tá. Kështu humpnë Maqedonasitë, Thrakasitë, Frygasitë e të tjera fara të Pelasgëvet, përveç Ilirianëvet, të cilët janë drejt prindërit tanë…”.

“Në të shtatët shekull të Krishtit…, Serbëtë mbushnë vëndet e veriut të Ilirisë… Edhe Bullgarëtë përzierë me Shqeh zunë Maqedoninë… Shqipëtarët’ e Maqedonisë u hoqnë n’anët të veriut e të perëndimit në mallet të Shqipërisë; ata të Ilyrisë së sipërme nukë para iknë nga vënd’ i tyre, po u përzjenë me aqë shumë Shqeh, sa humpnë gjuhën’ e tyre e zunë të flasinë sërbisht…”.

“Pra, me këtë mënyrë u nda nga Shqipëria gjysma e Ilirisë dhe gjysma e Maqedonisë dhe u bënë Shqehëri…”.

 “Maqedonasitë, që me trimëritë të tyre muarrë gjithë botënë në pakë kohë, nuk’ i suallë nonjë të mirë Shqipërisë, po Grekëritë, q’ishinë armikët’ e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku, që derdhën ata. Se Maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vendet, që muarrë, gjuhën’ e qytetërin’ e Greketë jo të tyrenë, q’ysh shqipja…”.

“Shqipëria është vogëluarë shumë; nga gjith’ ata vënde, që kishinë prindërit tanë, Pelasgëtë, vetëm Ilyri’ e Poshtërme a e Jugësë, Epiri edhe Maqedoni’ e Sipërme a e Veriut e Perëndimit kanë mbeturë Shqipëri. Por sot emënatë Ilyri, Epir, Maqedoni etj., janë të lën’ e të haruarë, janë emëna të dheshkronjës së vjetërë; sot për sot vëndi, që rrinë Shqipëtarëtë, thuhetë Shqipëri në gjuhët tënë edhe Albania në gjuhërat të huaja…”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button