SËRISH PËR PAGJUHËSINË

Çdo gjuhë është pasuri kombëtare dhe botërore. Çdo gjuhë është një traditë, thotë Andrash Laslo. Çdo traditë është pasuri, që duhet të mbrohet dhe të respektohet nga të gjithë. Çdo kush ka të drejtë të besojë se gjuha dhe tradita e tij është e vlefshme.

Kur dikujt i pengon gjuha ime, atëherë problemi nuk është tek unë, por tek ai që, ndonëse mund të jenë akademik, profesor, ministër, deputet, president, është i pagdhendur nga dalta e qytetërimit.

“Gjuha mbeti me mua kur të gjithë më braktisën”, thotë poeti Amichai. Gjuha ime është fryma ime, prandaj nuk lejoj askush të ma fyejë. Për mua, që kam respekt për çdo gjuhë dhe për komb që mbron gjuhën e tij, gjuha ime është gjithçka, sepse gjuha ime është bota ime.

Përçmuesit e një gjuhë janë të neveritshëm. Më të neveritshëm më duken ata që përjetojnë ekstazë kur e përçmojnë gjuhën amtare, sepse u duket e varfër.

Mendjecektësia s’e njeh fuqinë e shprehëse të gjuhës shqipe dhe nuk e di se ai që s’e njeh gjuhën e tij, asnjëherë nuk mund ta mësojë ndonjë gjuhë tjetër me tamam.

Mendjecektësia s’e di se misioni i atij që njeh gjuhë të huaja duhet të jetë pasurimi i gjuhës së tij amtare, ashtu siç bëjnë përkthyesit e vërtetë, të cilët janë vlerë kombëtare e pasurues të gjuhës dhe kulturës së tyre.

Mburret mendjecektësia se njeh një gjuhë të huaj dhe nuk turpërohet që s’e njeh gjuhën e tij. Pyesim: Si do ta përkthejmë një tekst nëse s’e njohim gjuhën amtare?

Mendjecektësia mbjell fjalë të huaja në kopshtin e bukur të gjuhës shqipe, kur aty mund të lulëzojnë fjalë të bukura shqipe.

Ka fjalë të huaja që e zbukurojnë kopshtin e gjuhës sonë, kurse tentimi për t’i shkulur gjithë lulet e importuara është marrëzi. Në fund të fundit çdo gjuhë ka shumë pak fjalë burimore. Megjithatë ka fjalë të huaja që në kopshtin e gjuhës shqipe ngjajnë si ferra. E shëmtojnë këtë kopsht përjetësie, që duhet të pasurohet e të zbukurohet nga gjuhëdashuruesit e gjuhëpasuruesit.

Fjalët e huaja e të panevojshme përdoren edhe nëpër shkollat tona, që duhet të tregojnë respekt e dashuri ndaj gjuhës shqipe dhe ta mbrojnë atë. Përdoren fjalët: “CV”, “kurrikula”, “impakt faktor”, “evaluim”, “observim”, “ekselentë”, “intern”, “ekstern”, “bord” etj.

Mendjecektësia mendon se çdo pemë tropikale mund të jetë e frytshme edhe në vendet me klimë kontinentale.

Unë që i dua gjithë gjuhët e botës, e dua pafundësisht gjuhën time. Aq shumë e dua sa e mësoj çdo ditë dhe sërish mendoj se e njoh shumë pak.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button