Maqedoni, ndërmarrja “Evropa” u bë operatori ekonomik i parë i certifikuar

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, u bë promovimi i konceptit operator ekonomik i autorizuar në të cilin kryetari i Qeverisë së RM-së, Zoran Zaev dhe drejtori i Drejtorisë Doganore të RM-së, GjokoTanasoski, i’a ndanë certifikatën e parë për operator ekonomik të autorizuar ndërmarrjes vendase me renome SH.A ”Evropa” – Shkup.

Në kuadër të kësaj ngjarje, fjalim mbajtën kryetari i Qeverisë së RM-së Zoran Zaev, drejtori i Drejtorisë Doganore GjokoTanasoski dhe drejtoresha e SH.A “Evropa” – Shkup Marika Karaxhova.

“Operatori ekonomik i autorizuar paraqet koncept të ri dhe modernizim i punës doganore dhe të tregtisë së jashtme, si rrjedhë nga reformat e procesit të Berlinit dhe Protokollit 5 nga CEFTA dhe përfshirja e ndërmarrjeve maqedonase në zinxhirët furnizuese rajonale dhe globale. Me këto procese integruese bëhet përforcimi i fuqishëm i ekonomisë rajonale, pikërisht përmes koncepteve si operatori ekonomik i autorizuar, kontrolle të përbashkëta doganore dhe kufitare, profilet e përbashkëta për analizë të rrezikut dhe shkëmbimit të informacioneve. Duke patur një certifikatë për një operator ekonomik të autorizuar, për ndërmarrjet do të thotë t’i përmbushin standardet ekonomike dhe të sigurisë për kryerjen e tregtisë së jashtme”, u shpreh Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij.

Drejtori i Drejtorisë Doganore, theksoi se SH.A ”Evropa” është fabrika e parë që merr statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, por në proces është lëshimi edhe i tre vërtetimeve për OEA, ndërsa dhjet ndërmarrje tjera paralajmëruan dorëzimin e kërkesave.

“Me marrjen e statusit të OEA, ndërmarrjet maqedonase përveç përfitimeve në fushën doganore në Republikën e Maqedonisë, do të mund t’i marrin përfitimet e njëjta në të gjithë vendet e CEFTA-së, respektivisht mundësi për përdorimin më të madh të procedurave të thjeshtuara doganore, trajtim prioritar gjatë kryerjes së kontrolleve doganore, zvogëlim të kontrolleve fizike dhe të dokumentacioneve nga organet doganore, zgjedhjen e vendit të kontrollit si dhe përfitime tjera direkte dhe indirekte. E gjithë kjo duhet të kontribuojë në zvogëlimin e kohës në doganimin e mallrave, zvogëlimin e shpenzimeve për eksport dhe import, rritjen e konkurrencës dhe integrim më të madh të ndërmarrjeve maqedonase në tregjet rajonale dhe evropiane. Kjo duhet të kontribuojë në rritjen e profesionalizimit të tyre, frymës sipërmarrëse dhe kapaciteteve financiare”, theksoi drejtori Tanasoski.

Ai shtoi se përveç OEA-së, me sistemin e ri për përpunim elektronik të deklaratave doganore do të vendoset koncepti i doganave digjitale, duke mundësuar potenciale për mjedise të favorshme doganore dhe rritje të prodhimtarisë, eksportit dhe investimeve.

Drejtoresha e ndërmarrjes vendore për prodhimtari SH.A “Evropa” – Shkup, Marika Karaxhova, gjatë fjalimit të saj u përqendrua tek performancat ekonomike të ndërmarrjes, për përfitimet që ndërmarrja do ti ketë me marrjen e kësajcertifikate për procesin e aplikimit dhe shprehu falënderim deri tek Qeveria e RM-së, për përkrahjen që ua ofron ndërmarrjeve nëpërmjet Planit për rritje ekonomike dhe rritjen e konkurrencës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button