Ilir Ismaili – njeri dhe mjek i jashtëzakonshëm

Personaliteti për të cilin po shkruaj sot quhet Ilir Ismaili. Ai është mjek onkolog në Spitalin Shtetëror të Shkupit – më i miri ndër dy-tre specialistët më të njohur të vendit, që trajton me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm kancerin e gjirit.

Në klinikën e radioterapisë dhe onkologjisë Doktor Iliri është eksperti më i kërkuar nga pacientët e shumtë, të cilët kërkojnë shpëtimin nga sëmundja e rëndë, që viteve të fundit është shndërruar në epidemi të vërtetë, duke prekur madje dhe vajza të reja, që posa kanë nisur ta shijojnë mirëfilli jetën.

Doktor Ilirin  e kërkojnë të gjithë hallexhinjtë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, religjioze e racore, sepse përgjatë viteve të shkuara e ka dëshmuar veten si specialist i kalibrit të rrallë.

Për ne që kemi pasur fatin e keq të përballjes me këtë sëmundje tepër të rëndë, për ne që e ndjejmë atë si një pikë të akullt që pikon ditëpërditshëm në mendjet, zemrat dhe shpirtërat tanë, për ne të afërmit e të sëmurëve që kemi pasur rastin ta njohim nga afër, Doktor Ilir Ismaili vërtet e meriton respektin e lartë të pacientëve, të cilët i ndihmon jo vetëm me citostatikë e radioterapi, po dhe me energjinë konstante pozitive, me durimin për t’i dëgjuar me vëmendje telashet e tyre, me këshillat e vazhdueshme që ua jep dhe me humanizmin e shpërfaqur për secilin që ka lidhur shpresat e jetës te Zoti dhe te dijet e Doktorit, i cili është bërë shpesh sebep shërimi i vrasësit në fjalë.

Përveç aftësive të dëshmuara profesionale, Doktor Ilirin e karakterizon dhe afërsia me të sëmurët dhe familjarët e tyre. Mjafton ta takosh një herë të vetme Doktorin për ta ndjerë si një mik të vjetër e të njohur para shumë vitesh, si anëtar familje, si vëlla biologjik. Kjo pa dyshim është vlerë shumë e dëshirueshme për një mjek, veçmas për një ekspert që trajton sëmundje të rënda si puna e kancerit të gjirit. Pikërisht në sajë të kësaj afrie ai ia del të depërtojë në shpirtërat e të sëmurëve, duke u shndërruar edhe në psikolog që ndez me sukses kandilat e kurajos dhe shpresës së domosdoshme për shërimin e pacientëve të tij.

Përkundër virtyteve të mësipërme, Doktor Ilir Ismaili është i veçantë edhe për nga modestia. Ai kurrë nuk eksponohet me vlerat që posedon si rrallë ndonjë tjetër në këtë lëmi. Me sa e kam vërejtur, Ai është i vetmi që i shoqëron pacientët nga ordinanca gjer në sallën e trajtimit me citostatikë, duke kontrolluar gjithçka dhe duke u interesuar për secilin rast veç e veç. Kjo, natyrisht, i jep krahë shpresës së të sëmurëve dhe e shton besimin, dëshirën dhe vullnetin e tyre për të ngadhnjyer në përballjen me më të keqen. Ai është mjeshtër për të përgatitur e motivuar psikikisht pacientët për beteja të gjata e të vështira, të cilëve arrin t’u imponohet si bashkëvuajtës dhe bashkëluftëtar njëkohësisht.

Për këto që thash dhe për një mori gjërash që mbetën pa thënë për këtë NJERI dhe DOKTOR të jashtëzakonshëm, mendoj se është fat që e kemi dhe që është para së gjithash yni. Fatmirësisht, në klinika të ndryshme të Spitalit Shtetëror të Shkupit, ku vijnë e gjejnë derman të sëmurë nga gjithë Ballkani,  sot kemi dhe mjekë të tjerë të kategorisë A, si puna e Doktor Ilir Ismailit. Të tillë janë: Doktor Arben Taravari (neurolog), Doktor Rexhep Selmani (kirurgji digjestive), Doktor Skënder Saidi (urolog), Doktor Ilir Vela (kirurg), Doktor Ilir Demiri (sëmundjet infektive) dhe shumë të tjerë, të cilët dëshmojnë se kur specialistëve shqiptarë u jepet rasti të punojnë aty ku e kanë vendin, i shprehin bindshëm aftësitë e tyre profesionale dhe virtytet më të larta njerëzore.

Lum për ne që i kemi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button