Vdekja/dhemja – Kroni nga i cili pikin vargjet

Të dielat ma këputin shpirtin se këto gazetat shqipe nuk dalin, ndërsa edhe pse të squllta, mua më mungojnë. Me ardhjen e Xhejms Perdju besoj se situata te ju do të fillojë të përmirësohet…

Sot, njëra nga gazetat më me renome këtu, La Joranda, ka botuar një recension për librin tim të botuar këtu. Sa i përket dorëshkrimit që ta dërgova, ndoshta do t’ia shtoja edhe dy-tri poezi. Përndryshe, përveç renditjes, aty duhet të bëhet ndarja në cikle dhe poashtu të përmirësohen gabimet drejtshkrimore.

Jam pakëz i lodhur dhe mezi po rri ulur. Të mbyta me këto “sëmundjet” e mia ore vëlla, por si duket me vështirësi jam duke i përballuar shenjat e para të pleqërisë.

Shpresoj ta kaloni një natë të qetë! Nesër do të të shkruaj më gjatë.

*

Gjer tani (16:50) kemi pasur njëfarë qetësie dhe unë po e shfrytëzoj këtë duke iu kënaqur poezive tua të mrekullueshme. Të kam thënë se nuk më pëlqen t’i lexoj ato “në të pestën”, siç i lexojnë disa. Leximi i tillë është fyes për poezinë e njëmendtë, siç është kjo Jotja. Nuk është e rastit pse poezitë e mira i botoj  në një faqe të tërë të revistës…, pa mos ua zënë frymën me kallaballëqe.

Përshtypjet e mia do t’i shfaq pasi t’i lexoj me nge 109 poezitë e dorëshkrimit.

Poezinë “Duke u matur me hijen” e ke mbyllur me vargjet: Poezinë nuk mbetet tjetër pos që ta shtrydh në letër vdekja...

Ke të drejtë. Një nga dëshmitë se vërtet është kështu janë vargjet Tua.

Në një enciklopedi simbolesh e mitesh kam lexuar diçka interesante që gjithashtu mund ta ilustrojë të vërtetën e amës së poezisë. Po ta rrëfej sa për muhabet:

Një mbret i lashtësisë dënimet me vdekje i bënte në mënyrë tejet unikate. Ai i fuste të dënuarit në barkun bosh të një demi të bronxtë prej ku dilnin lloj-lloj hynkash, tubash e borishë. Përfundi demit ndizte pastaj zjarr për ta vdekur viktimën, ndërkaq vetë, bashkë me krerët e tjerë të oborrit, dëgjontë nga afër klithmat e fatkeqit, që dilnin përmes tubave të shumtë e me forma gjithëfarëshe. Ashtu si rritej temperatura brenda barkut të demit vinin duke u rritur edhe klithmat e piskëllimat, që jashtë dëgjoheshin si tinguj muzikorë të një bukurie të papërsëritshme. Ekstazën e mbretit, nirvanën e tij, e nxiste në veçanti  klithma e mbarmë e njeriut që vdiste, klithma e agonisë supreme, që jashtë dëgjohej si notë e një muzike hyjnore.

Shembulli është bizar, po me te mund të sqarohet ajo thënia e njohësve të artit: poezia lind nga dhimbja, a vdekja, siç shprehesh Ti…, dhe sa më e madhe është dhimbja aq më e bukur është poezia…

Po ta them edhe këtë. Kam rilexuar sot edhe shkrimet që shoqërojnë librin tënd dhe më duhet ta pranoj se jam trishtuar nga distancat e mëdha që ekzistojnë mes asaj që shkruan David Huerta dhe asa që shkruajmë ne…

Haj se të bezdis së shpejti.

*

Më vjen shumë mirë që të kanë pëlqyer poezitë! Më shkruaj lirisht nëse nuk të pëlqen ndonjëra prej tyre. Ca të shkruara në Guatemalë jam menduar t’i bart në librin tjetër dhe njërën kushtuar kushëririt tim Din Bajrajt.

Ai shembulli që e more me demin metalik ishte rrënqethës dhe më pëlqeu jashtëzakonisht. Po, i dashur mik, dhembja-vdekja është ai kroni nga i cili pikin (jo rrjedhin) vargjet dhe biografitë e të gjithë poetëve që vlejnë dy para e dëshmojnë më së miri këtë.

E kam pas vërejtur qëmoti vetinë Tënde që një poezie të mirë t’ia kushtosh një faqe, por të them të vërtetën unë mendoja se të mugojnë poezitë e jo që je aq “i marrë” ha, ha! Kjo dmth. shumë për mua, e hjeki kapelën, TË LUMTË!

Shkëputur nga epistolari i pabotuar me mikun tim POET (1 korrik 2001).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button