HESHTJE E BLERË

Ditë e ngrohtë dimri në Tiranë. Në Panair përfaqësojmë Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë. Stenda jonë shtetërore nën moton “Book is life” (Libri është jetë) përplot me publikime  shqip. Shyqyr them. Dalëngadalë gurët po vijnë në vendin e vet, ndonëse në prapaskenë ende figuron reklama etnocentrike e qeverisë së “azilantit hungarez”: Macedonia Timeless. Zbresim në katin e nëndheshëm të Pallatit të Kongreseve për të zhvilluar një debat të udhëhequr nga gazetari Ben Andoni lidhur me raportet e kulturës shqiptare, në veçanti ato në sferën e letërsisë, të Shqipërisë me atë maqedonase, dhe ndryshorja e dytë: marrëdhëniet kulturore shqiptaro-shqiptare, në të dyja anët e kufirit. Biseda nis me poetin e mirënjohur Maxhirov të shpallur për vlerë kombëtare, i përkthyer në shumë gjuhë, mes tjerash edhe në shqip, me veprën Gurë i zhvendosur, nga një shqiptare e andej-kufirit (M. Selimi). Të habit fakti se si s’u gjet ndonjë i  këndejshëm – që maqedonishten e njeh më organikisjt – që ta kishte bërë këtë punë. Si ka mundësi që ne të mos e njohim atë që është pranë nesh? Flasim të gjithë nga pak, përmenden emra penash të shumta nga Maqedonia që janë bërë pjesë e revistës Poeteka, ndërkohë që të deleguar të tjerë “nga Shkupi” ankohen për përfaqësim selektiv, për mungesë të shkrimtarëve të pazëshëm por me vlera. Habit fakti se si përfaqësuesit e spektrit botues shqiptar janë të pasionuar pas një panballkanizmi (“Të gjithë jemi një, serbë, grekë, shqiptarë, maqedonas, malazezë, boshnjakë…” – tha përfaqësuesi i SHB Fan Noli), të cilin një ditë më parë në një takim joformal opinionisti Baleta e shau sa s’bën (“Ç’keni ju me terma si ballkanist, ballkanase…?”) duke pohuar se rrugë shpëtimi për shqiptarët është vetëm nacionalizmi, ideologji kjo diskredituar në xhuma në Xhaminë e Tabakëve nga imam Elvis Naçi, si filozofi politike e pakuptimtë: “Nacionalizmi thotë: unë jam plot e ti je kot! Kjo është një pikëpamje e gabuar”.

Duke ecur rrugëve të Tiranës, pranë Lanës, regjistroj një grafitti: “Heshtja është përdhunim”. Në hyrje të hotelit takoj sërish “poetin nacional”. Ia tregoj përmbajtjen e grafittit të fotografuar duke e ndërlidhur me elitën, me parinë shkollare, intelektualët, duke shënjuar se njerëzit e elitës nuk guxojnë të heshtin karshi ndodhive përreth dhe më gjerë. Shtanget në çast, nis të mendojë dhe në vend që të hyjë brenda, ndalemi në ulëset para hotelit, pranë rrugës përtej të cilës gjendet “vila e Enverit”. “Ëhë, shton. Ama ka dallim mes heshtjes dhe qetësisë. Dhe nëse, intelektualët bëhen si masa atëherë çfarë dallimi do të mbetet mes tyre, në çka do ta dallohen ata nga populli?” Vazhdojmë ne: Po e vërtetë, qetësia dallon nga heshtja sepse e para është më e natyrshme, më e virgjër, mund të mbizotërojë edhe aty ku s’ka njerëz, mund të jetë e pandikuar nga faktorët e jashtëm, ndërsa e dyta mund të jetë rrjedhim i një agjenti-faktori individual apo kolektiv nga i cili heshtësi apo heshtaku ka drojë, trembet. Në fakt frikësohet vetëm personi që nuk është i ndërtuar sa duhet, që tepër mendon për ekzistencën, për qenien e vet materiale, lëndore, që nuk shkon apo nuk sheh përtej lëkurës, tej vetes. E dyta, pse intelektuali të dallojë nga populli? A duhet që kur populli heshtë, ai të flasë dhe kur populli flet ai të heshtë? Shkollari nuk duhet ta tregojë veçanësinë e vet vetëm duke qenë ndryshe prej masës, duke qëndruar larg popullit, larg masave apo grigjës. Ikja dhe ndryshimi nga masa nuk e bën një “të kënduar” më të madh, më të thellë, më vizionar. Ai bëhet më i madh vetëm nëse i kthehet vetes, popullit, nga i cili edhe ai vjen; nuk duhet të abstragohet, nuk duhet të jetojë vetëm në atelienë, zyrën, bibliotekën e vet. Përkundrazi duhet të hajë e të pijë, të frymojë si njeriu i rëndomtë, duhet të bëhet pjesë e shpirtit kolektiv, duhet t’i prijë atij, në veçanti në momentet e lëkundjeve dhe krizave. Ai duhet të flasë kur populli s’bëzan, t’ia kumtojë atij shenjat në rrugë, t’i prijë, madje nëse e lyp nevoja, duhet të bëhet edhe kurban. Të gjithë mund të heshtin ndaj fenomeneve, intelektuali jo. Siç thotë një mendimtare, “çdo heshtje, çdo injorim është pajtim, aprovim, është bashkëpjesëmarrje në krim, do të thotë rezervim i vendit më të nxehtë, më të tmerrshëm të ferrit. Kjo në veçanti vlen për ata që zgjedhin të jenë neutralë në kohën e krizave morale”. Sipas nesh, ka disa lloje të heshtjeve: e pamëkatë (aq di, andaj s’flet), strategjike (bën plane, pret diçka, do shpërthejë më vonë), e blerë (me para ose me “favore” të tjera), e detyruar (dhunë kriminale evidente, “i/e kapur”), mistike/eremitërike (s’merret me çështje të botës, n’kontemplim permanent), një tjetër që T. Salamun e quan heshtje të zëshme (loud silence)… Në shoqërinë e sotme, më duket se ka shumë nga heshtja që Federico Rampini, në veprën Shekulli kinez (2006), duke e ndërlidhur me shembullin kinez të ditëve tonë, e quan “heshtje e blerë”. Në shumë vende të botës, një pjesë e mirë e elitarëve, janë shitur establishmentit, pushtetit, postit, të ardhmes. Ne  mendojmë se njeriu shitet vetëm ndaj të huajit. Jo, ka njerëz të shitur edhe “ndaj tanëve të shitur”. E ky është një transaksion jashtëzakonisht bizar.

Dhe marr në dorë librin që ma dhuroi Maxhirov, poezinë Стрелки во часовникот (Shigjeta në orë), ku mes tjerash thotë:

Fjalët janë farë që bie n’saksi

Heshtja mësohet në bark
Mundohu të lindesh
Si shigjetë e madhe pas mesnate

Në veçanti vargu i parë është mbresëlënës: fjalët janë mbjellje, janë prodhim. Të habit fakti se shumë njerëz, madje edhe shkollarë, mes tjerash pyesin se pse flisni/shkruani dhe kujt po i folni/shkruani? Ja përgjigjja: Mbjellim, nuk duam që t’ua mësojmë pasardhësve tanë heshtjen, duam të jemi prej atyre që me fjalë thonë diçka, “ndryshojnë veten dhe pak më tepër”, aq sa mundemi. Aq sa kemi thënë – dhe  bërë – aq kemi jetuar. Kurrkush nuk mund të peshohet nga të tjerët në bazë të heshtjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button