Të jesh i mirë me të këqinjtë

E kishte ndjerë sa e sa herë në lëkurën personale tagrin e të qenit i mirë me të tjerët, tagrin e të qenit tolerant, i urtë, i matur…, në veçanti me ata me të cilët e lidhte diçka, me ata të cilëve ishte i prirur t’u bëjë mirë, me ata të cilët, në raste të caktuara, mund dhe t’i injoronte, mbase dhe t’ua bënte jetën lëmç, po t’ia nxinte shpirti shpifjet dhe llomotitjet dardha te kumlla, po t’ia lejonte ndërgjegja – kjo kategori morale eterike që nuk banonte në shpirtin e antipodëve të tij.

Nëse kishte vepruar dhe vazhdonte të veprojë kështu me njerëzit tersana, këtë nuk e bënte për të tjerët, po për veten tij. Pra: e bënte sepse nuk mund t’i shmangej vetvetes. E bënte, jo pse nuk dinte dhe nuk mund të sillej ndryshe. E bënte, i vetëdijshëm se një kabile njerëzish nuk e meritonin mirësinë dhe mirëkuptimin e përhershëm, madje edhe në rastet kur sjellja e tij konsiderohej naive…

Ai për shumëçka ishte ndryshe dhe detyrimisht duhej të përballej me goditjet që zakonisht u bëhen tipave të pa sherr, si puna e tij. Jo rastësisht është jona ajo anekdota mbi atë njeriun që, sa herë shëtiste në qytetin e lindjes shmangte kalimin nëpër lagjet ku jetonin njerëzit të cilëve u kishte bërë të mira gjatë jetës, i bindur se pikërisht në ato lagje mund ta godisnin sherret idiote.

I tillë siç e kishte falur Zoti, ai merrte shpesh goditje të ulëta prej tipave të padenjë për t’ua përmendur emrat, po të gjitha i tejkalonte në sajë të edukatës së tij të fituar 20 vite para se të lindte, tamam ashtu si thonin latinët… Falë Zotit, ishte biri i një Babai të urtë, të cilin e pati dhe mësues, pikërisht në moshën kur formësohet shpirti. Ai i kishte dhënë disa mësime të vlefshme për tërë jetën, ndër të cilat bënte pjesë dhe këshilla që, kur ta kafshojnë hienat në të drejtën e Zotit, t’i thotë vetes: Lum si unë që nuk jam në vendin e atyre që më godasin pas shpine!

Natyrisht që e dinte se ky mësim nuk është i kohës sonë, por atë e ndiqte si hije dhe nuk kishte si ta këmbejë me diçka që s’hynte dot në kallëpet e shpirtit të tij.

E dinte se ky mësim të lë jashtë orbitës së atyre që jetojnë kokërrshpinas në sajë të pallavrave, mashtrimeve, aspiratës për të qenë pjesë e gardheve konjukturale dhe vesit të paparmbajtshëm për t’u imponuar kudo si më i mençuri, më i dituri, më i pagabueshmi…

E dinte se ky mësim të lë të varfër, të ndarë nga kopeja e deleve të t(u)lta të Perëndisë, të shkëputur nga kori i çafkave, të ekskomunikuar nga mizëria e kallaballëkut të mediokritetit, të papranueshëm nga ngrënësit e kulaçit të vjedhur nga mirëqenia popullore prej një grushti qeniesh që hanë bukë pa djersë dhe në kurriz të të tjerëve.

I dinte të gjitha, po të gjitha këto i flakte tutje me neveri dhe pa pët syri, pavarësisht pasojave që bien e do të bien mbi kurrizin e tij.

I dinte të gjitha, ashtu siç e dinë dhe gjarpërinjtë sojsëzë se, megjithatë, ishte më i fortë se të gjithë ata bashkë dhe veç e veç. Fundja, ai nuk rronte me djersën e të tjerëve dhe nuk e gëzonte mirëqenien e hajdutëve, që e urrejnë dhe e kanë inat pse nuk është hajdut si ata, pse rri larg nga strofullat e tyre, pse bën gjum të qetë dhe nuk pi qetësues, pse nuk e torturon asnjë makth, asnjë ëndërr e keqe, asnjë frikë që ka të bëjë me dënimet eventuale në këtë dhe me botën tjetër, pse është mësues e jo rrugaç si ata, pse nuk ndihet keq për statusin e tij social dhe përbuz ofertat për të qenë dikush si askushët, pse nuk e ka njollosur veten me hipoteka që shkërmoqin padiktueshëm jetën e antipodëve të tij, pse nuk lë pas vetes turpe, për shkak të të cilave, pasardhësit do të turpërohen t’i përmendin emrat e baballarëve biologjike, e hajt bir…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button