Me paratë e qytetarëve të Maqedonisë, Qeveria i “shpërblen” komunat që i futën në borxh qytetarët

Vendimi i Qeverisë për shlyerjen e gjysmës së borxheve të komunave me para nga arka e shtetit është problematik, pasi që realisht me paratë e qytetarëve paguhet puna e papërgjegjshme e autoriteteve komunale, në vend që ato para të shfrytëzohen për projekte të reja të cilat do ta përmirësonin gjendjen e rrugëve, shëndetësisë, arsimit, mjedisit dhe sferave tjera me rëndësi vitale për qytetarët. Përpara se të lahen borxhet, fillimisht duhet të bëhet analizë dhe vlerësim se kush dhe si i ka krijuar të njëjtat me qëllim që përgjegjësit të japin llogari, shkruan Portalb.mk.

Reagime të shumta ka ngjallur vendimi i Qeverisë për të ndihmuar komunat në larjen e borxheve me para nga arka shtetërore. Derisa autoritetet thonë se kjo është mbështetje e rëndësishme për komunat, ekspertët e kundërshtojnë të njëjtën duke vlerësuar se me masën në fjalë dërgohet sinjal se paguhen veprimet e paligjshme, të papërgjegjshme të punës dhe mungesës së llogaridhënies.

OJQ-të kërkojnë të gjenden emrat e borxhlinjve

“Subjektet ekonomike ekspozohen ndaj veprimit jo-korrekt dhe diskriminues në lidhje me shtetin. Krijohen devijime tregtare në tregun e kapitalit. Instrumenti i këtillë dërgon porosi drejt sindikalizimit të harxhimeve nga puna e papërgjegjshme e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Kur të sindikalizohet harxhimi nga rreziqet e pasiguruara krijohet papërgjegjësi (moral hazard). Në fakt, duke e ditur se do të kalojnë pa ndëshkim për punën e papërgjegjshme me mjetet tatimore të qytetarëve krijohet situatë e mungesës së çdolloj kujdesi për menaxhim me rreziqet, në përputhje me mundësitë dhe resurset e komunave nga ana e kryetarëve të papërgjegjshëm. Harxhimi për punën e papërgjegjshme në shtetin e robëruar bie në ngarkesë të atyre që nuk janë përgjegjës për papërgjegjësinë. Ministri të bëjë analizë në lidhje me atë se si janë mbledhur borxhet dhe të kërkojë përgjegjësi, ndërkaq për këtë duhet të kyçet edhe Enti Shtetëror për Revizion dhe Prokuroria Publike”, thonë nga Qendra për Analiza Ekonomike (QAE).Borxh, borxhe

Organizatat joqeveritare vlerësojnë se vendimi i Qeverisë për t’i shlyer borxhet e komunave nuk është i drejtë, pasi që nuk është bërë analizë në lidhje me atë se kush dhe në çfarë mënyre i ka krijuar borxhet, ndërkaq thonë se kjo masë është në dëm të qytetarëve sepse dëmtohen financiarisht për të dytën herë.

“Ky vendim, edhe pse ne shikim të parë jep përshtypje të mirë dhe pozitive, për mua është problematik nga disa aspekte, por më së shumti për shkak të asaj se dikush miraton vendim që paratë tona (të qytetarëve) i shfrytëzon për të mbuluar dhe në njëfarë mënyre edhe shpërblyer keq-menaxhuesit nëpër komuna. Gjithashtu, pa mos bërë vlerësime se si dhe në çfarë mënyre janë bërë borxhet në komunat, nuk mund të sillet një vendim i tillë, sidomos kur, vetëm si shembull, dihet se nëpër komuna kemi shumëfish më tepër të punësuar se sa që kanë nevojë ato, dhe që kjo padyshim shkakton harxhime të kota të cilat tani duhet të mbulohen me parat e qytetarëve në vend që ata mjete të shfrytëzohen për projekte e nevoja më parësore për banorët (shkolla, spitale, rrugë, etj.). Vendimi ishte jotransparent dhe pa konsultimet e nevojshme me qytetarët dhe me OJQ, ose së paku të jepeshin detaje dhe arsye racionale për një vendim të këtillë”, thotë për Portalb.mk drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.

Aktivisti Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla, kërkon që autorëve të krijimit të borxheve t’u konfiskohet pasuria dhe të njëjtat t’u kthehen qytetarëve, në të kundërtën nuk ka vlerë shlyerja e borxheve.

“Nuk është keq që qeveria po planifikon që të shlyejë gjysmën e borxheve të komunave, por në të njëjtën kohë duhet zhvilluar revizione dhe hetime për të parë se në çfarë rrethanash janë krijuar ato borxhe, për çfarë arsye, cilat borxhe kur janë krijuar dhe nga kush, dhe të thirren në përgjegjësi para organeve të drejtësisë kryetarët e komunave që i kanë krijuar këto borxhe. Fajtorët për krijimin e borxheve duhen dënuar që t’i kthejnë paratë në vlerën e borxhit, duke ju konfiskuar edhe pasuritë private nëse është nevoja. Qytetarët janë dëmtuar njëherë kur është krijuar borxhi, tani po dëmtohet buxheti i tyre për së dyti me shlyerjen e të njëjtave, kurse fajtorët vazhdojnë të kenë hapësirën për të abuzuar më shumë në të ardhmen. Nëse nuk ju jepet një leksion i mirë, kot që ju shlyhen borxhet, në çfarëdo sasie qofshin ato”, thotë Xhaferi.

Borxh, foto ilustrim

Qeveria pretendon disiplinimin e autoriteteve lokale duke ua paguar borxhet

Operacioni për kthimin e borxhit të komunave do të fillojë zyrtarisht me miratimin e rebalancit të buxhetit. Sipas llogaritjeve të publikuara, do të ndahen pothuajse 50 milionë euro, të cilat duhet t’i mbulojnë 51% të borxheve të komunave. Borxhi i përgjithshëm që e kanë raportuar autoritetet lokale, deri në fund të shtatorit, arrin në 81.3 milionë euro.

“Ndihma financiare prej 51 për qind të shumës së përgjithshme është një ndihmë serioze. Krijojmë në mënyrë të qartë një mekanizëm për ta parandaluar grumbullimin e borxheve në të ardhmen dhe themi në mënyrë të qartë se për herë të dytë nuk kemi ndërmend të bëjmë një gjë të tillë dhe kjo nuk do të ndodhë. Tani ka hapësirë ​​për t’u ndihmuar, në këtë moment e zgjidhim problemin e borxhit”, deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski.

Paratë nga buxheti qendror që do të përfundojnë në llogaritë komunale do të jenë rreptësishtë të dedikuara dhe të pakthyeshme. Komunat presin që qeveria të japë udhëzime për veprim.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu paralajmëroi mekanizma plotësues për kontroll në nivel lokal me qëllim të parandalimit të futjes në borxhe.

“Si zgjidhje sistemore, komunat nuk duhet futen në borxhe të reja, është paraparë një mekanizëm kontrollues në nenin 2 të Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale. Në fakt, komunat mund t’i planifikojnë të ardhurat e tyre më së shumti deri në 10 për qind të të ardhurave mesatare në tre vitet e fundit”, deklaroi Suhejl Fazliu, ministër i vetëqeverisjes lokale.

LEXO: ANALIZË: Mobilizohen komunat – priten para nga buxheti për kthimin e borxheve!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button