Takimi Rama-Meta për dekretin, Kryeministria: Do vijojë komunikimi!

Për më shumë se 1 orë, kryeminsitri Edi Rama u ndal sot në Presidencë, ku pati një takim “kokë më kokë” me Presidentin Ilir Meta në një ditë jo të zakonshme pune, transmeton Gazeta Shqip.

Vizita e Ramës në zyrën e Kreut të Shtetit erdhi vetëm pak orë pasi Meta refuzoi të dekretonte Sandër Lleshin si ministri i ri i Brendshëm, një propozim ky personal i kryeministrit, që erdhi pas dorëheqjes surprizë të Fatmir Xhafajt.

Vetëm 5 orë para përfundimit të afatit kushtetues, zëdhënësi i zotit Meta njoftoi përmes një mesazhi të shkurtër se “Presidenti Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.

Reagimi i Ramës pas vendimit të ish-aleatit të tij qeverisës ishte i “thatë”, me vetëm një mesazh drejtuar deputetëve të tij ku i kërkonte të ruanin qetësinë duke mos komentuar Presidentin e Republikës dhe me hapin e hedhur sot, duket se kryeministri e ka marrë vetë në dorë zgjidhjen e precedentit që është krijuar me “çështjen” Lleshi.

Në një njoftim të Kryeministrisë pas takimit Rama-Meta, thuhet se në Presidencë “është diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm”.

“Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, njofton kryeministria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button