A kanë fund flijimet shqiptare?

Jemi në prag të ndryshimit të disa neneve të Kushtetutës së Maqedonisë, të konsideruar qysh në vitet e nëntëdhjeta si gjenerator krizash në këtë vend çudirash, që shpëtoi nga kthetrat e Serbisë mollosheviqiane, por nuk e braktisi me dekada politikën e tij antishqiptare. Përkundrazi, me hallin e saj të vockël, na i futi për marre të dy këmbët në një çizme dhe, shumë vite pas pavarësimit të saj, madje edhe pas një konflikti të armatosur, ia doli t’na diciplinojë me ca makiazhe demokratike dhe t’na mbajë pothuajse në pozicionin e njëjtë me atë të ish sistemit.

Mjerisht, edhe tani kur është hapur paranteza e disa ndryshimeve kushtetuese, juristë të njohur, alamet analistësh dhe shumica e kuvendarëve shqiptarë, thonë se në këto ndryshime nuk ka vend për korrigjimin e statusit prej përqindjeje të shqiptarëve dhe për zyrtarizimin e  gjuhës shqipe, që si ligj është votuar para shumë muajsh në Kuvend, por nuk është mbyllur për shkak të mosdekretimit nga ana e kryetarit non sens, i cili e ka zët racën shqiptare…

Në kuadër të zhvillimeve të fundit po flitet edhe për një lloj pajtimi (natyrisht: brendamaqedonas) dhe faljeje të të gjithë atyre që përdhosën Kuvendin, rrahën kuvendarët dhe torturuan për vdekje kryetarin e një subjekti politik shqiptar. Për çudi, edhe në këtë rast flitet vetëm për faljen e huliganëve maqedonas, jo edhe për faljen e viktimave shqiptare të rasteve të montuara, jeta e të cilëve venitet burgjeve me vite e dekada të tëra.

Pra, në të dy rastet jemi ne ata të cilët nuk i bën beli kush, ndaj nuk e kuptoj përse të jetë kështu dhe përse ne shqiptarët duhet të anashkalohemi e të flijohemi përherë për shkak të rehatisë, mirëqenies dhe perspektives së të tjerëve?

Si është e mundur që të përfillen aq përunjshëm nga organet shtetërore tetë kuvendarët e VMRO-së që braktisën para disa ditësh ëmën e tyre biologjike dhe të lihen anësh kerkesat e shqiptarëve?

Tetë deputetet në fjalë i kanë caktuar kushtet e tyre, pa plotësimin e të cilave nuk do t’i votojnë amandamentet për ndryshimet kushtetuese. Ata e kanë kushtëzuar fuqishëm kreun e shtetit, sa ai është i obliguar që, para votimit të amandamenteve, t’ua dërgojë t’i kontrollojnë nëse janë përgatitur me pikë e me presje në pajtim me kërkesat e tyre të panegociueshme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e identitetit, gjuhës dhe te trashëgimisë kulturore maqedonase…

Meqë është kështu dhe meqë Maqedonia llogarritet si shtet multietnik e multikulturor, kush e ka kushtëzuar qeverinë, veçmas deputetët tanë, që në këto ndryshime të mos insistojnë të inkorporohet edhe statusi i shqiptarëve autoktonë në këtë vend dhe ligji për statusin e gjuhës së tyre, të nëpërkëmbur si gjuhë maxhirësh.

Kjo gjë e bën të qartë se ne edhe në të ardhmen, në vend të përmirësimit të mirëqenies së jetës, do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona elementare, ashtu si në 1912, 1945, 1990…, pa e kuptuar akoma se rinia shqiptare ka ikur gati e tëra nga ky vend i mallkuar që nuk çanë kokën për ta dhe bën kinse nuk e dallon kurbetin prej ekzodit të paparë masiv me përmasa biblike.

Në kësi rrethanash nuk arrij ta kuptoj a jemi të obliguar ta duam më shumë se të tjerët këtë shtet që ashiqare na trajton si etni inferiore të retarduarish?

Fundja, nëse për lirinë, demokratizimin, prosperitetin e këtij vendi, paqen e rajonit dhe intereset e Evropës…, duhet të flijohet sërish liria dhe e ardhmja e shqiptarëve, atëherë ç’emër t’i vëmë vetvetes?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button