GJUHA E PAVJEDHSHME 

Sa e zonja është gjuha shqipe për deshifrimin e kohës që e jetojmë në stetthin me politikanë premtimshkelës, çartabesës, spitullues, të jashtudhshëm, të jashtëkohshëm, kacëlmicë të përhershëm, të kënaqur me gënjimet e kësaj bote.

Sa e zonja është gjuha shqipe për deshifrimin e kësaj kohe me lodhës ekranesh, me bisedëvrasës, fortafolës, thashethemsa, dytsa të njëri tjetrit, të gjithkundshëm, krijesa veshtullore, vetëdëfryes, midisës, shumëfishues të zhurmërisë dhe mjegullinës, që nuk lejojnë në krahanën e tyre asnjë tjetërmends.

Sa e zonja është gjuha shqipe për deshifrimin e kësaj kohe të pagjuhësisë, pamendësisë, mbushur me asgjësi e kotësi.

Sa e zonja është gjuha shqipe për deshifrimin e kësaj kohe me rrenca, tutca e stërvina që janë bashkëpjesëmarrës në lartësimin e ngrehinave të vdeknajës.

Sa e zonja është gjuha shqipe për deshifrimin e kësaj kohe kur një popull i asnjanësuar ka humbur dehashpirtjen e uzdajën dhe mendon vetëm për të dobishmen e çastit.

Sa e zonja është gjuha shqipe për deshifrimin e kësaj kohe kukuvajkash, artistësh të mendermethënshëm, që shumëfishojnë të stërthënën.

Sa e zonja është gjuha shqipe, kjo gjuhë që rrezaton bukuri të magjishme falë gjuhëpasuruesve, dyjetsave, atyre që punojnë në heshtje me përkushtim prej mbinjeriu.

Sa e zonja është gjuha shqipe, kjo gjuhë e pavjedhshme, që na mundëson të hyjmë nëpër terrnajat e qenies dhe nëpër përmasat e tejbotshme, tjetërjetshme, përtejjetshme.

Sa e zonja është gjuha shqipe që na mundëson t’i shijojmë reflektimet e yllnajave të ndryshme kulturore.

Sa zotësi shprehëse ka gjuha shqipe për shkak të toskërishtes dhe gegnishtes, që vetëplotësohen dhe nuk vetëpërjashtohen. Ta duash dhe ta njohësh gjuhën shqipe do të thotë t’i duash dialektet e saj dhe t’i përjetosh si pasuri për gjuhën.

Sa e pasur është gjuha shqipe për shkak të aftësisë përthithëse të fjalëve prej gjuhëve të tjera, që i përshtatën konstitucionit të saj.

Për këtë gjuhë vlen të punosh me përkushtim e dashuri. Vlen ta duash më shumë se sa gjithçka tjetër. Vlen të ngulmosh për mbrojtjen e saj dhe të mos lejosh asnjë kompromis me ata që i pengon kjo bukuri e formësuar nga mijëvjeçarët.

Ata që kanë frikë nga kjo gjuhë le të shkojnë në djall të mallkuar. Mua nuk më pengon asnjë gjuhë, sepse çdo gjuhë është pasuri botërore.

Me këtë gjuhë nesër do të shkruhet për ata që nuk bënë asgjë për këtë shenjtni. Kjo gjuhë ka mbijetuar në kohëra më të vështira. Ajo do të rrojë falë atyre që punojnë për të pa kërkuar asnjë shpërblim. Do të rrojë falë gjuhëpasuruesve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button