Pas dorëheqjes së Xhafajt, me emër tjetër u plotësua kabineti i Edi Ramës

Ministri i punëve të brendshme, Fatmir Xhafaj, dha sot dorëheqjen nga detyra, ndërsa kryeministri Rama e plotësoi kabinetin me këshilltarin e tij të sigurisë, Sandër Lleshi.

Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, zoti Rama e falenderoi ish- ministrin Xhafaj “për kontributin e çmuar”, ndërsa tani që “traseja është e shtruar”, “duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate”, njofton DW.

Zoti Xhafaj është një nga politikanët kryesorë të Partisë Socialiste, deputet e ministër në disa mandate, si dhe kryetar i komisionit parlamentar të reformës gjyqësore.

Krahas vetingut në drejtësi, ai ideoi dhe procesin e vetingut në radhët e policisë, ndërsa drejtoi për shumë muaj operacionin “Forca e Ligjit”.

Gjatë mandatit të tij si ministër i punëve të brendshme, zoti Xhafaj u kritikua nga opozita për shkak të dënimit, që kishte marrë në Itali vëllai i tij Agron Xhafaj.

Ndërsa ky i fundit iu dorëzua drejtësisë italiane dhe ministri vazhdoi punën me disa operacione të tjera kundër kriminalitetit, kryeministri pranoi sot dorëheqjen e tij.

Opozita ka kërkuar edhe largimin e kryeministrit Rama për shkak të lidhjeve që ai mban, sipas saj, me njerëz të botës së krimit.

Akuza të ngjashme partia demokratike pati hedhur edhe ndaj ish ministrit të punëve të brendshme Saimir Tahiri, familjarët e të cilit akuzohen nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button