Haradinaj te Mattisi, Thaçi i drejtohet me fjalim FSK-së në kohë të protestës

Kreu i shtetit Hashim Thaçi ka zgjedhur orën e njëjtë me atë të protestës popullore të thirrur nga Vetëvendosje, për të mbajtur një fjalim në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kjo vjen vetëm pak kohë pas takimit që kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka pasur me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, në Pentagon. Haradinaj ka iniciuar ligjet që do t’i hapin rrugë transformimit të FSK-së në Ushtri.

“Sot (29 shtator), në orën 14:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të ketë një adresim publik para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vendi: Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë”, thuhet në njoftimin nga Presidenca, përcjell Koha.net.

Mbase vizita më e rëndësishme e delegacionit kosovar në SHBA në këtë fundshtator është ajo e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili me nderime të larta ushtarake është pritur nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, James Mattis, në selinë e Pentagonit në Washington.

Haradinaj e ka informuar Sekretarin Mattis për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova. E mbi të gjitha, siç njoftoi Kryeministria, “Haradinaj ritheksoi se Ushtria e Kosovës do të jetë garancë e paqes në vend dhe rajon, multietnike dhe e gatshme për të shërbyer krah ushtrisë amerikane në misione paqësore në botë”.

Ai e njoftoi sekretarin Mattis për të gjitha të arriturat e vendit, në veçanti për procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

“Të rinjtë tanë, nga FSK-ja kanë pasur fatin që të mësojnë nga profesionistët më të mirë të ushtrisë amerikane, përmes programeve që na janë ofruar përgjatë viteve. Kjo eksperiencë e fituar është baza më e mirë që e kemi për transformimin e FSK-së dhe Kosova është e gatshme për këtë etapë”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e fokusuar që të vazhdojë partneritetin me Pentagonin dhe Washingtonin zyrtar dhe ka kërkuar nga Sekretari Mattis përkrahjen e tij, në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe në NATO.

“Aleatët më të mirë të Kosovës në kohë krize dhe në kohë paqeje ka qenë dhe është SHBA-ja. Ajo që kanë bërë ushtarët amerikanë duke shërbyer në Kosovë, është vepër për të cilën ne ndjehemi krenarë, për të cilën ju duhet të ndjeheni krenarë”, ka shtuar Haradinaj.

Përndryshe, në orën 14:00 kur Thaçi u drejtohet me një fjalim FSK-së, Lëvizja Vetëvendosje proteston në shesh me moton “Një njeri s’i nënshtrohet një populli”. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe përfaqësues të partive tjera, pozitë e opozitë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button