Thaçi: Shtetet e rajonit mirëpresin një marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot në një konferencë për media deklaroi se shtetet e rajonit mbështesin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se mirëpresin një marrëveshje paqësore. Ai tha se “Të gjithë janë për dialog, për negociata dhe të gjithë në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar do të mirëprisnin një marrëveshje Kosovë-Serbi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi foli për vizitat e tij gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni dhe takimet me krerët e këtyre shteteve, me ç’rast tha se edhe këto shtete mbështesin dialogun dhe negacioatat dhe se mirëprisnin një marrëveshje paqësore. Sipas tij, zërat se marrëveshja Kosovë-Serbi mund të ketë efekte negative në rajon janë të paqëndrueshëm, joracionalë dhe injorantë.

“Kështu që në kuadër të opinioneve dhe qëndrimeve të ndryshme, së pari qëndrimeve politike mbështetëse, opinioneve të sinqerta analitike akademike mund të krijohen edhe divergjenca të ndryshme pro apo opinione të ndryshme pro apo kundër marrëveshjes, gjë që unë e respektoj si diçka shumë legjitime. Por, ajo që është shumë me rëndësi është se të gjithë janë për dialog, për negociata dhe të gjithë në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar do të mirëprisnin një marrëveshje Kosovë-Serbi”, tha ai.

Thaçi thekson se ky nuk do të jetë një proces i lehtë edhe në të ardhmen, meqë sipas tij, do të ketë demarkim apo korrigjim të kufirit prej 430 kilometrash.

“Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen edhe të këtij procesi, apo paralelisht. Korigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohje direkte nga Serbia, automatike, dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. E njohja nga Serbia nënkupton njohjen nga 5 vende të BE-së për Kosovën, Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros”, tha ai.

Sipas tij, kjo marrëveshje nënkupton edhe fillimin e procesit të themelimit të ushtrisë, heqjen e vetos ruse nga Këshilli i Sigurimit dhe me këtë fitimin e një njohjeje globale edhe prej 80 vendeve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Thaçi po ashtu tha se nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës dhe krijimin e një Republike Sërpska, apo asociacionin me kompetenca ekzekutive. Ai shtoi se nuk lejon shkëmbimin por që është në favor të bashkangjitjes së Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, por që në anjë rrethanë me asnjë çmim nuk do të lejojë që dikush të cenojë apo diskutojë për Trepçën, Ujmanin dhe veriun e Mitrovicës.

Ndërkaq në lidhje me çështjen e procedimit të projektligjit për transforimimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, Thaçi tha se nuk është i informuar për këtë çështje dhe se nuk janë të informuar as partnerët si SHBA-të dhe NATO. Ai shtoi se tash nuk është momenti i duhur që të bëhet ky procedim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button