Maqedoni, edhe gjykatësit do të hetohen nga Prokuroria Speciale

Prokurorja speciale Katica Janeva, në ngjarjen e publikimit të raportit të OSBE-së për Prokurorinë Speciale Publike, njoftoi se më 15 shtator do të publikohet raporti i gjashtë gjashtëmujor. Pjesë e hetimit të PSP-së do të jenë edhe gjykatësit, njofton Portalb.mk.

“Ju njoftoj se më 15 shtator do të publikohet raporti i gjashtë gjashtëmujor. Ajo çfarë është risi në këtë raport se pjesë e hetimeve tona do të jenë edhe gjykatësit që kanë punuar në mënyrë joadekuate dhe në kundërshtim me ligjin”, njoftoi Janeva.

Meqë në raportin e pestë PSP-ja deklaroi se janë dëgjuar 85 për qind e telefonatave të përgjuara – “bombat”, 15 për qindshi i të tjerave janë në pritje për përkthim dhe priten të përfundojnë në muajin nëntor.

“Bisedat që janë zhvilluar në gjuhën angleze duhet të përkthehen nga përkthyes të licencuar. Kurse 15 për qind i bisedave të padëgjuara presim të dëgjohen deri në muajin nëntor”, tha Janeva.

Ajo gjithashtu ka njoftuar se tre rastet si ajo për “Shkupi 2014”, “Aktor” dhe për “Rrymën energjetike” janë ende në procedurë parahetimore.

“Në rastin për “Shkupi 2014” është duke u punuar, sepse materialin që e kemi siguruar nga arkivi i Qytetit të Shkupit është shumë i madh. Është duke u skanuar dhe analizuar i njëjti. “Aktor” është në përfundim për të së shpejti do të ketë aktakuzë. Për rastin e “Rrymës energjetik” për këtë ende punohet”, tha Janeva.

Megjithëse gazetarët pyetën se për çfarë pune të paligjshme të gjykatësve bëhet fjalë, Janeva kërkoi që të bëhet durim deri më 15 shtator.

Ndryshe, gjithsej 142 persona akuzohen në lëndët e Prokurorisë Speciale Publike, ndërkaq më së shpeshti për veprën për të cilën ndiqen të akuzuarit është keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar, tregon raporti i ri OSBE-së për aktivitetet dhe lëndët e Prokurorisë Speciale, për periudhën nga shtatori i vitit 2015-të deri në janar të vitit 2018.

Efikasiteti i PSP-së nën hijen e kërkesës për amnisti të pjesëtarëve të VMRO-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button