Qeveria të mërkurën do ta caktojë shumën që do të shpenzohet për fushatën e referendumit

Në seancën e ardhshme, të mërkurën do të dihet sa mjete do të ndahen për fushatën për referendumin e ardhshëm për marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë. Deri më tani vetëm Ministria e Mbrojtjes doli me informacion se sa mjete  do të dedikojë për referendumin e ardhshëm, shkruan MIA.

Nga Ministritë tjera nuk ka informacione kush sa mjete do të ridedikojë për këtë qëllim, edhe pse dje skadoi afati që të parashtrohen informacionet deri te Ministria e Financave, për mjetet që i kanë në dispozicion, që do të mund të ridedikohen për fushatën e referendumit.

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dje në Ditën e hapur të ARM-së për qytetarët tha se MM do të vendosë në dispozicion diç më pak se 60 milionë denarë për fushatën e referendumit e ardhshëm.

“Ministria e Mbrojtjes është njëra nga ato e cila më së shumti duhet të jetë e interesuar për prioritetin tonë strategjik dhe nga sektori ynë për financa dërguam informacion se në dispozicion po vendosim diç më pak se 60 milionë denarë, të cilat ishin planifikuar për aktivitete të ngjashme, por të cilat vlerësojmë se është më mirë t’i shfrytëzojë Kuvendi, e jo ne individualisht”, tha Shekerinska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Theksoi se në seancën e ardhshme qeveritare, e cila siç tha, do të mbahet të mërkurën në mëngjes,  zyrtarisht  do të përcaktohet shuma e cila do të ndahet për fushatën e referendumit në vijim.

“Ajo që është e qartë është se praktikisht Qeveria nuk dëshiron të jetë aktori kryesor, për shkak  se Kuvendi  është ai i cili e solli vendimin për referendum dhe me këtë do të tregojmë se Qeveria nuk ka agjendë politike ose partiake, por se me të vërtetë në këtë çështje është e koncentruar në interesin kyç të Republikës së Maqedonisë – të mos jetë shtet i izoluar, të jetë shtet me perspektiva, të bëhet anëtare e NATO-s dhe t’i fillojë bisedimet me BE-në”, tha ministrja e Mbrojtjes në Ditën e hapur të ARM-së për qytetarët.

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha dje në konferencë për shtyp deklaroi se Qeveria në seancën e ardhshme do të sjellë plan-program konkret për zhvillimin e gjithë fushatës për referendumin, përfshirë edhe për mjetet që shpenzohen për atë qëllim.

Zëdhënësi qeveritar tha se gjatë përgatitjeve të plan-programit për fushatën e referendumit, do të shkohet sipas Ligjit për referendum.

Hoxha theksoi se fushata do të jetë informative, ndërsa qëllimi është që qytetarëve t’u sqarohen përfitimet nga marrëveshja me Greqinë.

“Me fushatën do t’i informojmë qytetarët se referendum i suksesshëm do të thotë hapje e rrugës së vendit për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, do të prezantohet marrëveshja për emrin me Grrqinë dhe për përfitimet nga ajo. Çdo ministri dhe institucionet me buxhetet e tyre do të duhet të tregojnë sa para mund të ridedikohen për fushatën për referendum. Kjo do të jetë nga kursime të caktuara nga reprezentacionet apo paragrafe tjera. Konsiderojmë se referendumi është shumë i rëndësishëm për vendin dhe të gjitha mjetet, që do të shfrytëzohen për zbatim të fushatës do të publikohen”, tha Hoxha.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski mbrëmë përsëriti se pozicionin e partisë lidhur me referendumin do ta parashtrojë pas konsultimit gjithpërfshirës me qytetarët dhe pas konsultimeve të brendshme partiake që zhvillohen paralelisht. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button