Merkatoja angleze në orët e fundit, Mourinho “kryqëzon” gishtat
Merkatoja e Premier Leagues angleze do të ulë siparin nesër në orën 18:00, ndërsa klubet po nxitojnë të mbyllin marrëveshjet e fundit të përforcimeve në organikë.
Vëmendja më e madhe është përqendruar te Manchester United, pasi trajneri Jose Mourinho vijon të konfirmojë dëshirën e tij për afrimin e të paktën dy lojtarëve, deri në mbyllje të mërkatos, njofton TCH.
Portugezi kërkon afrimin e mbrojtësit anglez të Leicesterit, Harry Maguire, për të cilin “dhelprat” kërkojnë plot 65 milionë paundë.
Sa i përket afrimeve të tjera, gjithçka do të varet nga merkatoja në dalje, me situatën e francezëve Pogba dhe Martial, që është vërtetë e komplikuar.
Trajneri portugeznuk gëzon marrëdhënie të mira me asnjërin prej tyre, por nuk do të pranonte kurrsesi largimin e tyre, pa gjetur më parë zëvendësuesit.
Edhe në këtë pikë drejtuesit e “djajve të kuq” e kanë të qartë se Mourinho kërkon Perisiç nga Interi dhe Milinkoviç-Saviç nga Lazio, për të dhënë miratimin për largimin e francezëve.