Kërcënimi i Trumpit me sanksione ka të bëjë me politikën e brendshme

Teksa vazhdojnë debatet rreth kërcënimeve me sanksione të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe nënpresidentit Mike Pence për shkak të pastorit amerikan, Andrew Craig Brunson, të arrestuar në Turqi për krime të kryera për organizatat terroriste FETO dhe PKK, ekspertët amerikanë cilësojnë se deklaratat e Trumpit kanë të bëjnë me opinionin e brendshëm.

Duke folur për Anadolu Agency (AA) në lidhje me deklaratën e Trumpit në Twitter, Daniel Serwer, ekspert i Institutit të Lindjes së Mesme dhe ligjërues në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara në Universitetin John Hopkins, vlerëson se kjo deklaratë ka të bëjë tërësisht me politikën e brendshme të SHBA-ve dhe se nuk ka lidhje me Turqinë.

“Është një shfaqje e mbështetjes së presidentit për një lider evangjelist të akuzuar në Turqi”, thekson Serwer.

Ai thotë se nuk i di akuzat të cilat i ngarkohen pastorit Brunson, por shton se Trump dëshiron të tregojë se qëndron prapa një kleriku evangjelist.

“Kjo sepse brenda ka një shtresë evangjeliste për votën e të cilëve ka nevojë dhe këto vota janë vota të cilat mund të humben lehtë nga skandalet në administratë. Megjithatë, ata i shpërfillin këto dhe vazhdojnë t’ia japin votën nëse u premtohet për çështje që kanë të bëjnë me evangjelistët”, vlerëson Serwer.

Ai thotë se Trump nuk u jep rëndësi aleancave të krijuara nga SHBA-të dhe preferon të hedhë hapa të njëanshme.

“Ky është i vetmi president që nuk i merr parasysh në këtë masë marrëdhëniet me aleatët”, shton Serwer, i cili thekson se Kongresi nuk pajtohet me qëndrimin e presidentit ndaj aleancave.

Serwer po ashtu potencon se qëndrimi i Trumpit në Twitter është në kontradiktë me strategjinë amerikane të sigurisë kombëtare, duke e përmendur si shembull faktin që Trump nuk e shikon si rival Rusinë.

Më tej, Serwer thotë se shumica e postimeve në Twitter shkruhen nga vetë Trump.

“Këto haptazi reflektojnë pikëpamjet personale të Trumpit dhe pikëpamjet e tij personale janë të çuditshme”, shton Serwer.

Sipas tij, sulmet e Trumpit në Twitter ndaj aleatëve u sjellin dobi Rusisë dhe Kinës. Ai mendon se shprehja “Fillimisht Amerika” po shndërrohet në “Vetëm Amerika”.

– “Kërcënimet me sanksione për shkak të Brunsonit nuk janë realiste”

Nga ana tjetër, Luke Coffey, ekspert në Fondacionin e Trashëgimisë me qëndër në Washington, thotë se disa ekspertë janë shprehur se nuk duhet shikuar postimet e presidentit Trump, por politikat që ndiqen, mirëpo, sipas tij, postimet e tij në rrjetet sociale nuk duhet shpërfillur.

“Sekretari Pompeo dhe Departamenti i Shtetit kishin arritur përparim në lidhje me Brunsonin. Ky postim e e ktheu në masë të caktuar këtë përparim dhe shkaktoi më shumë probleme. Kjo tregon se mes postimit të bërë nga Shtëpia e Bardhë dhe asaj që është bërë nga Departamenti i Shtetit ka mungesë koordinimi”, thotë Coffey.

Coffey tregon se Trump përmes llogarisë së tij në median sociale i adresohet shtresës së vet, mirëpo në të njëjtën kohë shihen edhe nga ana e botës dhe nuk dihet se këto do të ndikojnë në politikën e jashtme amerikane në afat të gjatë.

Ai thotë se çdo amerikan dëshiron zgjidhjen e shpejtë dhe të përshtatshme të situatës së Brunsonit. “Mirëpo, të thuash se SHBA do të zbatojë sanksione ndaj Turqisë, të thuash se ndaj Turqisë do të vendosen sansksione të mëdha ashtu siç u tha, nuk është realiste”, shton Coffey.

“SHBA duhet ta shikojë fotografinë e madhe këtu. Sado që situata e personit në fjalë të jetë e dhimbshme për të dhe familjen e tij, ne duhet t’i shikojmë interesat e SHBA-ve. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me Turqinë që ai të ngelet i lirë, por nuk mendoj se sanskionet ekonomike janë mënyra për këtë gjë”, vlerëson Coffey, i cili thotë se Turqia dhe SHBA janë aleatë shumë të mirë në 70 vitet e fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button