Dialogu Beograd-Prishtinë nis në tetor

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit për veriun është i pashmangshëm. Kjo pjesë e Kosovës pritet të marrë një status të veçantë, që nuk do ta prishë funksionalitetin e shtetit. Burime ndërkombëtare pohojnë se në Bruksel po punohet që takimi Jahjaga–Nikoliç të ndodhë në muajin tetor, me çka do të fillojnë edhe bisedimet mes palëve.

Presidentja Atifete Jahjaga do të ketë punën më të vështirë para se të nisë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e problemit të veriut, shkruan “Express”.

Ajo pritet të takohet me Presidentin e ri të Serbisë, Tomislav Nikoliç, më së largu në tetor të këtij viti në një vend evropian e jo në Asamblenë e OKB-së.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës “Express” se shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Chatherine Ashton, po përgatitet për t`i takuar presidentët e Kosovës dhe Serbisë.
Sikurse Nikoliç, edhe Jahjaga është shprehur e gatshme të takohet dhe të flasë për problemet që përballen dy shtetet.

“Ashton dëshiron t`i takojë liderët e dy vendeve në një shtet evropian. Takimi Jahjaga – Nikolic nuk do të ndodh në New York në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së”, ka thënë diplomati i BE-së në kushte anonimiteti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button