Prodhimi global i kokainës dhe opiumit në rekord të lartë

Prodhimi i kokainës dhe opiumit në rrafsh global ka shënuar rekorde të reja të larta, thuhet në Raportin Botëror për Drogën, të cilin e përpilon Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

Shifrat e publikuara nga raporti në fjalë flasin se mbi 250 milionë njerëz globalisht janë përdorues të drogave, që rezulton me rreth gjysmë milion vdekje në vit. Në vitin e kaluar, 13 milionë persona të moshës mes 15 dhe 16 vjeçare kanë përdorur kanabis.

Rreth 5,6 për qind e popullatës së rritur, më saktësisht 275 milionë njerëz, në vitin 2015 kanë përdorur drogë të paktën një herë.

Raporti i OKB-së thekson se gjatë vitit 2015 rreth 31 milionë njerëz kanë pësuar çrregullime shëndetësore nga përdorimi i drogës, ku si pasojë kanë vdekur 450.000 persona.

“Gjetjet e këtij viti të ‘Raportit Botëror për Drogën’, flasin se tregjet e drogës po zgjerohen, ndërsa kokaina dhe opiumi po shënojnë rekorde të larta, duke u shndërruar në një sfidë që duhet të luftohet në shumë fronte”, deklaroi Yury Fedotov, drejtor ekzekutiv i zyrës së OKB-së për Krime të Drogës.

“Prodhimi global i kokainës në vitin 2016 shënoi rekordin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, me rreth 1.410 tonë të prodhuar. Pjesa më e madhe e kokainës vjen nga Kolumbia”, thuhet në raport.

Numri i përdoruesve të drogave në vitin 2016 është rritur me 20 milionë më shumë nga viti paraprak, thuhet më tej në raport, i cili thekson se drogat nga opiumi janë lloji më i dëmshëm, që shkakton 76 për qind të të gjitha komplikimeve shëndetësore.

Prodhimi global i opiumit është rritur me 65 për qind në vitin 2017, duke mbërritur shifrat prej 10.500 tonë të prodhuara.

“Rritja e theksuar e kultivimit të luleve të opiumit bashkë me përmirësimin e rendimenteve në Afganistan bëri që prodhimi i opiumit vitin e kaluar të arrijë në 9.000 tonë”, tha ai.

Raporti në fjalë thekson se e ashtuquajtura “Rrugë e Ballkanit”, vazhdon të dominojë në trafikimin e drogave opiate që vinë nga Afganistani.

Pjesa më e madhe e heroinës dhe morfinës e sekuestruar në “Rrugën Ballkanike”, ishte sekuestruar në Iran, edhe atë me 32 tonë, ndërsa sasi më të vogla ishin sekuestruar në Turqi me 5.4 tonë, si dhe në vendet e Ballkanit me 0.8 tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button