SHBA zgjat sanksionet kundër Koresë së Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër për zgjatjen e sanksioneve edhe për një vit ndaj Koresë së Veriut, duke përmendur “kërcënimin e jashtëzakonshëm” që paraqesin armët bërthamore të Veriut, transmeton REL.

Trump zgjati sanksionet, të cilat fillimisht ishin vendosur më 2008, vetëm disa ditë pasi shkroi në Twitter se “nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”.

Presidenti Trump u takua me liderin verikorean Kim Jong Un në Singapor më 12 qershor, në një samit që u konsiderua historik dhe që kishte për qëllim uljen e tensioneve në Gadishullin Korean.

Pas samitit, Trump është shprehur se sanksionet do të vazhdojnë të jenë në fuqi dhe se heqja e tyre varet nga përparimi që shënohet në denuklearizimin e Gadishullit Korean.

“Veprimet dhe politikat e Qeverisë në Korenë e Veriut vazhdojnë të paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Trumpi.

Pentagoni po ashtu ka njoftuar se do të pezullojë ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke përmbushur kështu premtimin që Trump i ka dhënë Kimit gjatë takimit të tyre në Singapor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button