Trump: Të gatshëm të shkruajmë një histori të re me Korenë e Veriut
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump tha se “janë të gatshëm të shkruajnë një histori të re” me Korenë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Trump, në konferencën për media organizuar pas takimit të tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në Singapor, e falënderoi Kim-in “për arsye se ka hedhur hapin e parë të guximshëm për një të ardhme të ndritur për popullin e tij”.
Ai tha se SHBA-të “janë të gatshme për një histori të re, një faqe të re me Korenë e Veriut”.
“E kaluara nuk duhet t’i japë formë të ardhmes”, theksoi Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu tha se e ka ftuar liderin e Koresë së Veriut në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Kim ka pranuar ftesën. Trump theksoi se në një kohë të përshtatshme do të presë liderin verikorean dhe se në një ditë të përshtatshme është i hapur të shkojë në Phenian.
Trump deklaroi se stërvitjet e përbashkëta me Korenë e Jugut do të ndërpriten.
Ai gjithashtu njoftoi se Kim Jong-un ka pranuar shkatërrimin fushës për testim të motorëve raketorë.