Të lindish dhe të vdesish për secilën fjalë
Titulli i këtij shkrimi është varg i mjeshtrit të fjalës së shkruar shqipe Azem Shkrelit, kredoja e të cilit përkon me atë të poetit tetovar Numan Mustafës.
Fati deshi që të jem botuesi i veprës së parë poetike të Numanit me titullin “Imazh në sy engjëjsh”, që pa dritën në edicionin e SHB “BREZI 9”, në vitin 2008, kurse tani redaktori i vëllimit të dytë me poezi, që sigurisht do të pritet mirë nga publiku lexues.
Numan Mustafa shkruan vargje të veçanta, të kultivuara përgjithësisht “në lëmën e këngës shqiptare”, siç do të thoshte Çabej. Poezitë e tij janë të ngjyrosura me doza të matura religjioziteti dhe me një mistikë karakteristike naimiane. Ato të bëjnë t’i shijosh të gërshetuara aromat pikante dhe tonet e këngëtimit të Lindjes dhe të Perëndimit, sepse autori është rritur me artin e dy kulturave, të cilat, natyrisht, e kanë pikluar edhe kulturën dhe artin shqiptar.
Numani është poet i mendimit të rafinuar dhe i vargut shumështresor, të shkruar me gjuhë të thjeshtë dhe të qërruar dhjamesh të panevojshme. Pikërisht në këtë thjeshtësi atipike gjuhe, përndjehen shtresat e nëntëshme dhe idetë e thella, të zbërthyeshme nga lexuesit e kultivuar të vargut poetik.
Parë brenda kontekstit të letërsisë sonë, vargu i lehtë, i qartë, i kapshëm dhe gracioz i Numanit përfaqëson vazhdimësinë e traditës së bukur të lirikës shqiptare.
Ai ka dhuntinë e bartjes së emocioneve te lexuesi, është mjeshtër i formës së poezive që shkruan, po, në rend të parë, vë nëntekstin e fuqishëm dhe karakteristik, vë idetë filozofike.
Si gjithë poetët e lindur, ai këndon vetëm kur i këndohet dhe, para së gjithash, për qejfin e vet. Nuk ngutet, nuk improvizon, nuk e synon famën e atypëratyshme, si shumë krijues të tjerë. Për të, poezia nuk është fast food, ndaj, në këtë pikë, është më i ngjashëm me krijuesit klasikë, si poeti i famshëm Nazim Hikmeti apo Lasgushi ynë i madh.
Poezitë e këtij liriku me individualitet dhe me imagjinatë të bujshme, janë vargje të punuara me kujdesin e një filigranisti, vargje plot aluzione historike e religjioze, ku gërshetohen ankthet dhe shpresat për të ardhmen e njeriut. Numani i ka njësoj të bukura poezitë me motive biblike e kuranore, poezitë e dashurisë dhe në veçanti ato me tone elegjiake për Nënën e ngjitur lart në botën parajësore…
Numani është krijues modest, si gjithë artistët e mirëfilltë. Atë e ka mësuar përvoja si hesht e thëna dhe si flet e pathëna. Ai nuk parapëlqen të teoretizojë mbi vargjet që shkruan. Por, nëse ke fatin të rrish me të dhe ta gjesh momentin kur nis e shpërfaq dijet universale dhe konceptin e tij mbi artin dhe letërsinë, në veçanti mbi poezinë shqipe dhe të huaj, mbi lririkën e Lindjes dhe dhe të Perëndimit…, mund të mësosh gjëra interesante të lëmës së estetikës dhe të befasohesh me universin e dijeve të tij.
Për kënaqësinë e lexuesve të PortAlb-it, po e mbyll portretin e shkurtë të Numanit me një poezi të bukur, sa për t’jua mundësuar shijimin e artit të tij të veçantë:
PORTRET
S’do të gënjej miku im:
nëna ime ish’ njeri
jo engjëll…
Prej balte i kish’ gishtat
sytë bojë dheu,
duart gur.
Dhe unë e dija
se s’kish’ njeri më të bukur
se ajo
kur qeshte…
Nëna ime s’ishte engjëll
miku im,
ish’ nëna ime…
Ajo më mësoi si pritet buka
gishtin pa e prerë
dhe si qahet
me kokën lartë
e pa klithma prej njeriu.
Ajo
pa kthyer kokën
kaloi tej pragut një ditë
dhe iku.
Ish’ mëngjes i nëntëmbëdhjetë
unë isha bërë njëzet vjeç
në jetë
dhe qiejt nuk ishin plakur ende.
S’të gënjej miku im:
Nëna ime
prej balte i kishte gishtat
sytë bojë dheu
duart gur.
Dhe e di:
asnjeri s’do të qeshë aq bukur
dhe njëherë.
Nëna ime
s’qe engjëll, miku im,
ish’ nëna ime…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.