Kosovë, Dështon mbledhja e Qeverisë, Haradinaj kërcënon ministrat me shkarkim

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ka dështuar sot për shkak të mungesës së disa ministrave. Ajo është vendosur të mbahet të martën në orën 15:00, përcjell Koha.net. 

Kryeministri Ramush Haradinaj pas dështimit të mbledhjes, ka thënë se disa ministra kanë leje të mungojnë, siç është i Punëve të Jashtme, por disa të tjerë të cilët munguan, sipas tij, është e pakuptimtë për mos pjesëmarrje në mbledhje të Qeverisë.

Kryeministri tha se do të marrë masa edhe për shkarkimin e ministrave në rast se përsëritet një gjë e tillë në të ardhmen, raporton KP.

Ai mori shembull ministrin më të ri në kabinetin e tij, atë të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi. Mungesa e këtij ministri për kryeministrin është e habitshme.

“Do të bëj një evidencë të mungesave, edhe nëse ka mungesa pa arsye do të kërkoj lirimin e atyre ministrave që nuk vijnë në takimin e Qeverisë, pra do të kërkojë lirimin e tyre. Ta shohim në të ardhmen a do të mungojnë… Është hera e parë që ka koinciduar ndoshta me më shumë mungesa për të mos pasur kuorum, sepse ndodhë që me qenë ministrat jashtë vendit ose me një detyrë të caktuar. Ky është prioriteti i tyre, për tjera tema, cilat do qofshin dhe ata duhet të jenë në takim, p.sh. ministri i Rendit nuk ishte në takim të Qeverisë, ndoshta ai ka një urgjencë që ka ndodhur diçka e ne se dimë, por nuk ishte në takim të Qeverisë. Ai sapo e ka marrë detyrën, pak e habitshme, ai me ia dhënë vetes këtë të drejtë mos me ardhë në takim të Qeverisë. Munguan edhe të tjerët, por e mora shembull atë. Unë nuk do të pres në pakufi për me iu dhënë një përgjigje atyre që nuk vijnë qoftë këtu qoftë në seancë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Haradinaj shtoi se një pjesë të përgjegjësisë e mbanë edhe vet ai si kryeministër për dështimin e kësaj mbledhjeje, për shkak se po mbahen mbledhje goxha shpesh.

Kryeministri ka folur edhe për projektligjin për FSK-në, i cili tha se nuk është në rend të ditës tash. Për këtë ai tha se është njoftuar nga mediat, megjithatë, Haradinaj tha se për këtë çështje duhet një koncensus.

“Sa i përket ligjit për FSK-në, ne jemi në përpjekje të një konsensusi politik ende dhe kur konstatojmë se duhet të kalojmë ndoshta me konsensus të pjesshëm ose me një unitet të pjesshëm, atëherë mund të veprojmë me ligj, por ende s’kemi konstatuar kështu”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button