SHTIGJE TË BLERËTA
Do të kisha dashur të jem ujë i burimit malor
Dhe të jetoj rrëzë shkëmbit kristal,
Të mbyllem në guacën e fildishtë të lumit
Dhe ta shkruaj aty tregimin tim të pikëllimit
Për Kumanovën time.
Do të kisha dashur të jem njeri,
Që s’dëgjon britma ligësie,
Asnjë sharje, asnjë gjë, a më kuptoni,
Përveç shtigjeve të blerëta.
Do të kisha dashur
Të mos lejoj të derdhet koha
E të shteret dashuria,
Në gjëmën e rëndë me ngjyrë venerike
E me sy të përgjakur.
Do të kisha dashur shumë gjera
Për këtë qytet
Po ju më takoni gjithnjë në ngushticë
E s’i them dot.
A s’e dëgjoni atëherë
si e quajnë ëndrrën time të vërtetë
si e quajnë të keqe
dhe një ditë më vonë
o sa e mirë, sa e kthjelltë, sa e verdhë.
Unë e shtrij mbretërinë e heshtjes
Të heshtjes sime që është det dashurie,
Të fjalës sime që është unazë me rubina,
E pashqiptuar,
E pathënë,
Gotë e thyer, e ndrydhur ndër shekuj,
Që ka qenë udhë e verbër
Skaj të cilës është një gur me shenja.
Heshtazi e shikoj Kumanovën
Si bëhet çdo ditë më e bardhë,
Ashtu në heshtje
Dhe si ngrihet përreth saj një blerim,
Kalon një vashë nëpër heshtje
Kalojnë shumë vasha
E ndjej prekjen e tyre të butë
Prekjen e bardhë.
Ngrihet i bardhë pastaj vektori,
E bardhë është edhe rrita jonë
E cila do ta shpërndajë heshtjen
E do t’i bëjë shtratin përroit
Kurse historia do t’ia gjejë emrin kohës sonë
Kohës së shirave
Të ëndrrës për bardhësi,
Kohës kur fillojnë të bulëzojnë pemët e Kumanovës
Të vendosur rrëzë heshtjes
Ku kalon një vashë
Ku kalojnë shumë vasha
Nëpër shtegun e bardhë
Rreth të cilit ngrihet blerimi
Që do t’i jetë i bujshëm.
Poezi nga Asllan SELMANI
Zgjodhi Xhabir AHMETI