Mes lirikës dhe abstraktes, artistët Spahiu dhe Mexhiti i bashkuan pikturat në Suharekë

Dy artistët e mirënjohur figurativ, Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti, ekspozuan veprat e tyre artistike – skulpturat, në Galerinë “Shtëpia e Fellbahut” në Suharekë. Harmonia filozofike e veprave të tyre ishte forca e padukshme që i bashkoi këta dy artistë në një ekspozitë të përbashkët.

“I bashkoi kontrasti mes lirikës shumëngjyrëshe dhe larmisë abstrakte në pikturat e Bashkimit dhe fuqisë epike, që simbolizon demi në pikturat e Safetit, ose ecja apo shëtitja nëpër kohë e tablove të Bashkimit dhe qëndrimi stoik dhe real i demit. E përbashkëta tjetër është se “hieroglifët” shumëngjyrëshe dhe abstrakte të Bashkimit flasin shqip, rrëfejnë për ngjarje historike, kurse figuracioni i demit, aq real dhe aq i fuqishëm, përmbush këto data e ngjarje të së kaluarës, që prezanton Bashkimi. Aty-këtu vërehet dukshëm edhe dyshimi, hutimi, po pse jo edhe trishtimi i shkujdesur i demit, simbolikë e gjendjes momentale të banorit të këtij nënqielli”, tha në hapjen solemne fotografi artistik Osman Demiri.

Ai shtoi se këto stile në këtë ekspozitë, shumë dallues mes tyre, përmbushin njëri-tjetrin duke përforcuar bindjen në thënien, se në art nuk është e rëndësishme vetëm ajo që thua, por mënyra dhe stili se si e thua.

Për veprat e Safet Spahiut dhe Bashkim Mexhiti foli edhe artisti nga Suhareka, Refki Gollopeni, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Safet Spahiu ka lindur në Prizren, ndërsa prej vitit 1996 jeton dhe vepron në Gostivar. Prej vitit 1998 ligjëron në Fakultetit e Arteve pranë Universitetit të Tetovës. Ka realizuar 14 ekspozita personale në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Francë, Turqi, Bullgari, Argjentinë, SHBA, Kore e Jugut. Për punën e tij krijuese disa herë është shpërblyer me çmime vendore dhe ndërkombëtare.

Bashkim Mexhiti ka lindur në Gostivar. Është njëri ndër themeluesit e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, ku ligjëron prej vitit 1994. Ka realizuar mbi 15 ekspozita personale me piktura,  ndërsa ka krijuar edhe në skulpturë, siç janë shtatoret e Josif Bagerit, Xhemë  Hasës, Aqif Reçanit dhe Komandant Tigrit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button