SHPËRNDARËSI I HESHTJES

Khalil Gibrani, ky “gjuetar dhe shpërndarës i heshtjes”, është poet dhe prozator nga bota kulturore arabe. Ai lindi në Liban dhe më pas emigroi në Amerikë. Në krijimtarinë e tij letrare e gërsheton mistikën dhe panteizmin. Vepra më e njohur është “Profeti” (1923). Ai thoshte se ndërsa e shkruante këtë vepër, njëkohësisht vepra e shkruante autorin e saj. Për herë të parë në gjuhën shqipe u përkthye nga poeti Nehat S. Hoxha dhe më pas pati disa përkthime cilësore.

Profeti i Gibranit flet për njeriun dhe për vlerën më të madhe të tij: dashurinë. Vepra ndërtohet në formë pyetjesh e përgjigjesh. Njerëzit pyesin dhe Profeti përgjigjet për dashurinë, lirinë, ligjet, fëmijët, martesën, dhimbjen, hidhërimin, kënaqësinë, fenë, shtëpinë, punën etj.

Khalil Gibrani, me këtë vepër, i fali botës perla të shpirtit dhe mendjes. Me dashuri dhe sinqeritet. Kur shkruajmë, kur i dhurojmë pasionet tona, pra vetveten, sipas Gibranit, duhet të jemi të sinqertë dhe të japim më të mirën e mundshme. Të mos japësh do të thotë të vdesësh, kurse vdekja, si kategori filozofike, është e pashkëputur nga jeta. Dalja nga kthetrat e saj ndodh atëherë kur ka një ëndërr për zbulimin e portës së madhe të përjetësisë, e cila, në analogji me Epin e Gilgameshit, arrihet me vepra të mira.

Thelbi i veprës së Gibranit është dashuria, thellësia e së cilës njihet vetëm kur vjen ora e ndarjes. Dashuria nuk jep veç vetvetes dhe nuk merr veçse nga vetvetja. “Dashuria nuk ka pronë dhe as lejon të jetë pronë. Dashurisë i mjafton dashuria”. Kur njeriu dashuron nuk duhet të thotë se “Hyjin e kam në zemër”, por “jam shi në zemrën e Hyjit”. Dashuria është jetë dhe jeta është dashuri. Dashuria është forca që gjithçka e kthen në harmoni. Dashurinë duhet investuar në çdo punë, sepse kush punon me dashuri e lidh veten me të tjerët dhe me Zotin. Për Gibranin çdo lidhje dashurie duhet të jetë e lirë (“Kur dashuroni dikë lejojeni të ik. Nëse kthehet, ai ka qenë pranë jush. Nëse jo, atëherë, asnjëherë nuk ka qenë aty”). Dashuria, sipas tij, dëshiron ta përmbushë vetveten dhe duhet të na prijë gjatë udhëtimit jetësor. Njëfarë ngjashmërie me udhëtimin e Dantes nëpër Ferr, Purgator dhe Parajsë. Shpirti fluturon drejt qiellit kur bëhet i lehtë. Në Ferr shpirti është i rënduar nga pesha e mëkateve.

Gibrani na fton të duam, sepse vetëm kështu mund të na duan. Pjesa jonë më e mirë duhet të jetë për mikun, të cilin duhet ta kërkojmë jo në orët e vdekjes, por në orët e jetës, sepse ai plotëson dëshirat dhe jo zbrazëtinë tonë.

Profeti i Gibranit flet edhe për martesën dhe i porosit të lidhurit me kurorë që të mbushin kupën e njëri tjetrit, por mos pinë nga e njëjta kupë, sepse janë dy subjekte të ndryshme, që mund të bashkëjetojnë pa e prekur lirinë e njëri – tjetrit.

Fëmijët janë qenie autonome, të cilëve mund t’ua falim dashurinë, por jo edhe mendimet tona. “Trupin mund t’ua mbyllni, por jo edhe mendimet, ndaj, shpirtrat e tyre banojnë në shtëpinë e së nesërmes, të cilën ju nuk mund ta vizitoni, madje as në ëndërr. Mund të përpiqeni t’u ngjasoni, por, mos kërkoni të bëhen si ju, se jeta nuk ecën nga prapa dhe as e pret të djeshmen”.

Për Gibranin gëzimi është brenga jonë pa maskë, kurse njeriu lëkundet, si pjatat e peshores, mes brengës dhe gëzimit. Për të dhimbja është thyerja e guaskës që mbështjell të kuptuarit e saj.

Të bisedosh për të do të thotë ta vrasësh mendimin përgjysmë, të pushosh së qeni në paqe me mendimet tua dhe të mos jetosh në vetminë e zemrës. Llafazanët kërkohen nga ata që i frikësohen vetmisë, atëherë kur “qetësia e vetmisë zbulon para syve lakuriqësinë”. Gibrani na porosit që vetëm shpirti duhet të na i lëviz buzët dhe të na udhëheqë gjuhën.

Për Gibranin e keqja është e mira e torturuar nga uria dhe etja, kurse kënaqësia nuk është liri, por është edhe lulëzimi i dëshirave tona dhe thirrje e thellë drejt lartësive.

Bukuria nuk është nevojë, por ekstazë, është zemër e përflakur, shpirt i magjepsur, një pamje që shikojmë symbyllur dhe një këngë që e dëgjojmë veshmbyllur. “Bukuria është përjetësia që vështron vetveten në pasqyrë”.

Kështu ligjëron Gibrani, ky poet që, siç thuhet, e kthen zhurmën e erës në këngë, e cila është më e ëmbël edhe se sa dashuria. Dhe kudo në ligjërimin e tij poetik rrezaton mendimi gjenial.

E gjithë vepra e Gibranit ndërtohet mbi disa urtësi. Ajo na thotë se nuk duhet të kemi frikë prej vështirësive, sepse na mundësojnë ta kuptojmë fuqinë tonë (“nga brengat kanë lindur shpirtrat më të fuqishëm”); se jeta duhet parë me optimizëm (“optimisti e sheh trëndafilin dhe jo gjembat e tij”); se duhet të lutemi jo vetëm kur ndjehemi keq, por edhe kur ndjehemi mirë; se nuk duhet ta kërkojmë të vërtetën absolute (“mos thoni se e keni gjetur të vërtetën e vërtetë, thoni se e keni gjetur të vërtetën”); se vetëm njerëzit e vegjël tentojnë t’i përçmojnë të tjerët; se mirësjellja është virtyt i të veçantëve; se duhet të ikim nga e keqja, ngase atë që e lëndon e kujton më shpesh; se bukuria dhe vërteta vijnë nga qenia (“bukuria nuk është fytyrë, bukuria është drita në zemër”)...

Profeti i Gibranit ec nëpër ditët tona, shpirti i tij ka hyrë në zemrën e njerëzimit, ëndrrat e tij janë ëndrrat tona. Ai u flet njerëzve që e ndjejnë se u mungon pa u thënë lamtumirën. Ai është brenda njeriut. Diku i zgjuar dhe diku i fjetur. Ai flet me gjuhën e heshtjes dhe na fton të duam, të mos e mbyllim dashurinë në kafaz dhe mos ta shpërfytyrojmë lirinë njerëzore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button