Ditë e frankofonisë në Tetovë, bashkuan etnitetet e ndryshme në Shtëpinë e Kulturës
Manifestimi kulturor ditët frankofone dje ka mbushur Shtëpinë e Kulturës në Tetovën me këngë frenge dhe etnitete të ndryshme, përcjell Portalb.mk.
Këtë vit gara kombëtare e këndimit u zhvillua në Tetovë. Kjo garë u realizua me koncert madhështor, me një organizim nga drejtoresha e Aleancës Franceze në Tetovë, Charlene Jouve dhe magjistrja e gjuhës frënge, Mimoza Ceka.
Në ngjarje i pranishëm ishte edhe ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonie, i cili tha se kënga nuk ka nacionalitet dhe se qëllimi i aktivitetit ka qenë që të bashkohen pjesëtarët e përkatësisë së ndryshme etnike.
“Kënga nuk ka nacionalitet, ajo është ndjenjë, kënaqësi dhe kulturë. Ditët e frankofonisë bashkuan rininë, bashkuan nacionalitetet dhe uroj që të bashkuar të vazhdoni edhe pas këtyre ditëve, që të jeni shtet multietnik. I fascinuar nga çdo talent dhe suksese ju uroj të gjithëve”, tha Timonie.
Juria përbëhej nga përfaqësues nga: këshilltarë për gjuhen frënge në Byronë për Zhvillim dhe Arsim si dhe përfaqësues të Shoqatës se Profesorëve të Gjuhës Frënge në Maqedoni, këshilltarë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, përgjegjës i arsimit në Komunën e Tetovës dhe këngëtar dhe profesorë të muzikës.
Ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonie në ndarjen e çmimit të vendit të parë u shpreh se e kishte pasur të vështirë sepse të gjithë ishin të mirë. Vendin e parë e mori Simeon Goshev.
Konkursi shtetëror i këngës frankofone 2018 është organizuar në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Tetovë, Aleancën Franceze në Manastir, Shoqatën e Profesorëve të Gjuhës Frënge në Maqedoni, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni në mbështetje të Institutit Francez në Serbi, Institutit francez në Shkup si dhe Ambasadën Franceze në Shkup.