120 fotografi, harta dhe dokumente që pasqyrojnë spastrimin etnik të shqiptarëve në Nish
Me rastin e 140 vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” është hapur ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”, e cila u mundësua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Qendra Dokumentare Shkencore dhe Këshilli Kombëtar për Paqe, transmeton KultPlus.
Kryeshefi ekzekutiv i ASHAK-ut, Ramë Manaj, tha se në këtë ekspozitë janë prezantuar gjithsej 120 fotografi, harta dhe dokumente që pasqyrojnë spastrimin etnik të shqiptarëve në vendbanimet e Nishit. Ai tha se dokumentet e paraqitura në këtë ekspozitë dëshmojnë shtrirjen e popullit shqiptar deri në Nish e Pirot, si dhe numrin e shqiptarëve që janë jetuar në ato treva.
Ai po ashtu tha se hartat e ekspozuara dëshmojnë zgjerimin e Serbisë dhe shteteve tjera fqinje në dëm të territorit të Kosovës. Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Dema tha se ngjarjet e tilla duhet të shërbejnë për vetëdijesim për të mos lejuar dëbimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. “Duhet shërbyer si thirrje për vetëdijesim për të mos lejuar realizimin e doktrinave për shpopullimin edhe nga trevat tjera shqiptare siç është Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Këto aktivitete duhet të shërbejnë edhe si thirrje për ndërgjegjësimin që ngjarjet e tilla të mos përsëriten”, u shpreh ajo.
Udhëheqësi i Qendrës Dokumentare Shkencore, Jusuf Osmani tha se eksponatet e prezantuara në ekspozitën “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” dëshmon për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone në Sanxhak të Nishit. Ai po ashtu tha se kjo ekspozitë përkujton pasojat e pasardhësve që u larguan me dhunë nga ushtria serbe në vitet 1877-1878.
“Shpalosin dëshmitë e dokumentuara nga shumë burime për spastrimet etnike të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone nga fshatrat dhe qytetet e Sanxhakut të Nishit duke përkujtuar edhe pasojat të cilat sot e kësaj dite në memorien e brezave të pasardhësve të larguar me dhunë nga ushtria serbe në vitet 1877-1878” ,tha ai. Në hapjen e ekspozitës është shfaqur edhe filmi dokumentar i gazetarit Marin Mema “Nga Nishi te Molla e Kuqe” dhe intervista e Sabit Ukës e realizuar nga Radio Televizioni i Kosovës, të cilat rrëfejnë për spastrimin etnik të shqiptarëve në Sanxhak të Nishit. Po ashtu e gjithë ekspozita është realizuar e në formë katalogu, e cila ka për qëllim që të shërbej si udhërrëfyes informativ. Gjatë ditës së nesërme në Institutin Albanologjik do të organizohet një konferencë shkencore lidhur me dëbimin e shqiptarëve nga Nishi në vitet 1877/1878. Ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” do të jetë e hapur deri më 2 mars./KultPlus.com