Pazari i Korçës, destinacioni i preferuar i 35 mijë turistëve në 2017

Pazari i Vjetër i Korçës, një nga atraksionet më të bukura në Ballkan, është vizituar gjatë vitit 2017 nga 35 mijë turistë vendas dhe të huaj, njofton ATSH-ja.

Një objekt me vlera të hershme historike, kulturore e artistike, pazari karakterizohet nga ndërtesa një dhe dy katëshe, që datojnë që nga shekulli XIX, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve.

Falë projektit të bashkëfinancuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ai Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me vlerë 4 milionë dollarë, u restauruan fasadat dhe çatitë e godinave karakteristike, dikur dyqane e bujtina. Në këtë pazar numërohen rreth 138 godina, Monumente kulture të kategorisë së parë, dyqane e bujtina.

“35 mijë turistë vendas edhe të huaj kanë vizituar gjatë vitit 2017 Pazarin e Vjetër të Korçë. Dhjetëra të tjerë e vizitojnë Korçën gjatë fundjavave dhe nuk largohen pa eksploruar Pazarin, i cili mbetet një nga atraksionet më të bukura në Ballkan. Sot Pazari i Vjetër i Korçës jeton me hapin e kohës, falë investimeve të bëra me qëllim rijetëzimin dhe konservimin e tij, duke e shndërruar kështu në një ansambël të çmuar të historisë së qytetit”, deklaron kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Karakteristikë e ndërtesave përgjatë pazarit janë edhe qepenat në ndërtesat e tyre, vërehen dy lloje qepenash me kapakë ose me rullon që është një fazë e mëvonshme se sa qepeni klasik me kapak. Pazari ka vlera historike dhe monumentale.

Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia.

Ai ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku ia vlen të veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit, të cilët shërbenin si fjetore për njerëzit që vinin nga jashtë qytetit.

Tregu me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete.

Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngriheshin dyqane.

Pazari është djegur tre here, por është ndërtuar sërish. Pazari i vjetër iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë në vitin 2015, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme historike, ekonomike dhe turistike të qytetit dhe gjithë rajonit. Një investim i cili tjetërsoi imazhin e këtij pazari dhe i riktheu atij vlerat historike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button