Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, Thaçi fton Kuvendin ta ratifikojë Demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka inkurajuar deputetët e Kuvendit që ta ratifikojnë sa më shpejt Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi t’i shpëtojë izolimit brenda Evropës, njofton REL.

Këto komente, Thaçi i bëri gjatë një konference për media, të thirrur për të vlerësuar arritjet dhe sfidat e shtetit të Kosovës në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë, më 17 shkurt.

“Dhjetë vitet e fundit kanë qenë vite të përparimit të gjithanshëm”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se për dhjetë vjet shtet, Kosova është njohur nga 115 vende, ka kultivuar raporte të mira me aleatët ndërkombëtarë si dhe vite të relaksimit të raporteve me Serbinë.

Por, një shqetësim më vete, është shprehur në lidhje me izolimin e Kosovës, si vendi i vetëm pa një perspektivë të qartë integruese.

Thaçi tha se pret që strategjia e ardhshme e Bashkimit Evropian për zgjerim, do të përfshijë edhe Kosovën. Kjo strategji, nënkupton përmbushjen e obligimeve që ka Kosova karshi Bashkimit Evropian.

“Shpresoj që në të ardhmen e afërt, institucionet e Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm pa viza, sikurse qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit”, tha Thaçi.

Ai inkurajoi Qeverinë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin fund çështjes së Demarkacionit, duke dhënë shembuj konkret të relaksimit të raporteve mes vendeve të rajonit.

“Shqipëria diskuton me Greqinë për përmbylljen e çështjes së detit, kurse Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit”, tha Thaçi, duke inkurajuar deputetët që të gjejnë zgjidhje rreth Demarkacionit të kontestuar me Malin e Zi.

Në disa raste, Thaçi deklaori se në këto ditë “dhurata” më e mirë për qytetarët në 10-vjetorin e saj të pavarësisë do të ishte lajmi nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave. Por, para se ky “lajm” t’i vijë Kosovës, Thaçi inkurajon ratifikimin e Demarkacionit, si kushti i fundi i BE-së.

Presidenti ia ka rikujtuar Qeverisë së Kosovës edhe një obligim tjetër të paplotësuar ndërkombëtar, që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Neglizhenca e treguar në lidhje me Demarkacionin dhe Asociacionin, sipas Thaçit, nuk krijon pikë politike për askënd, por vetëm krijon ngërç politik dhe zvarritje të proceseve në vend.

Gjatë kësaj konference, Thaçi tha po ashtu se Kosova do të mbetet e përkushtuar edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë deri në njohjen reciproke mes dy shteteve.

PËR GJYKATËN SPECIALE KISHTE VETËM DY OPSIONE

Edhe në këtë konferencë, presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar si të padrejtë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Ai tha se dihet se kush ka kryer krime lufte në Kosovë dhe gjykimi i vetëm njërës palë, paraqet një padrejtësi.

Ai e ka arsyetuar veprimin e atëhershëm të institucioneve dhe pozicionin e tij pro themelimit të kësaj gjykate me ruajtjen e partneritetit me aleatët perëndimorë.

“Duke pasur parasysh vizionin për të ardhmen, ruajtjen e partneritetit dhe miqësisë dhe besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, kam marrë përgjegjësitë që më takonin atëherë si kryeministër i vendit, për trajtimin e raportit të Dick Martyt, për mua fantastiko-shkencor”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, në kohën e miratimit të themelimit të Gjykatës Speciale, në vitin 2015, kishte dy mundësi, ose të themelohet kjo gjykatë përmes Këshillit të Sigurimit ose përmes legjislacionit të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Mes këtyre dy dilemave, Thaçi tha se është zgjedhur e keqja më e vogël, pasi që të dy zgjidhjet ishin të këqija.

“Kosova dhe UÇK-ja kanë zhvilluar luftë të drejtë. E themelojmë gjykatën sepse nuk kemi pse të frikësohemi. E dimë që është e padrejtë, por është diçka që duhet ta gëlltisim për ruajtjen e partneritetit me SHBA-në, NATO-në dhe BE-në”, tha Thaçi.

Riaktualizimi i Gjykatës Speciale ka pasuar nismën e një grupi prej 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale). Këtë nismë, presidenti Thaçi nuk e kishte kundërshtuar e as përkrahur, çka kishte nxitur edhe reagime ndërkombëtare.

Thaçi, në këtë konferencë për media tha se deputetët kanë mandatin e popullit dhe nuk i takon atij që të ballafaqohet me ta rreth nismave që ndërmarrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button