Maqedoni, vaksinë nëntë valente kundër HPV-së

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe, në ambientet e ministrisë mbajti një konferencë për media me rastin e Javës Evropiane për luftën kundër kancerit të qafës së mitrës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Filipçe theksoi se kanceri i qafës së mitrës është shkaku i dytë më i zakonshëm për vdekje nga kanceri në Evropë tek gratë e moshës mes 15 dhe 44 vjet, përfshirë edhe në Maqedoni, kështu që siç tha ai, do të zbatohen vaksinat nëntë valente kundër HPV-së, si masë parandaluese për gratë e të gjitha grupmoshave.

Sipas tij, së bashku me Drejtorinë e Shëndetësisë Elektronike punojnë për një sistem të integruar shëndetësor dhe aktualisht në vijim janë përgatitjet e modeleve të veçanta elektronike, ku do të përfshihen të gjitha rezultatet e Pap testit, rezultatet e testit të HPV-së dhe analizat histopatologjike.

“Në vit zbulohen dy deri në tre raste të karcinomit të qafës së mitrës, pas së cilës pacientët dërgohen për diagnostifikim të mëtejshëm ndërsa sipas nevojës edhe për trajtim. U bëj thirrje grave që rregullisht të paraqiten tek gjinekologët e tyre amë për kontrolle. Kjo është një sëmundje që mund të parandalohet, e cila nëse zbulohet në një fazë të hershme, mund të ndërmerren masa të trajtimit dhe e njëjta mund të shërohet”, tha ministri Filipçe.

Biba Dodevska, kryetare e Shoqatës kundër kancerit “Borka”, tha se rreth 70 për qind e grave dhe burrave mund të vijnë në kontakt me HPV-në gjatë jetës së tyre. Për fat të mirë 80 deri 90 për qind e rasteve, virusin e eliminojnë natyrshëm.

“Në Evropë çdo gjysmë ore një grua vdes nga kanceri i qafës së mitrës. Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet me anë të vaksinimit dhe ekzaminimit të organizuar. Maqedonia është një nga shtetet e cila duke ndjekur përvojat Botërore dhe Evropiane, e ka futur në përdorim vaksinimin HPV si një nga mënyrat kryesore të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës dhe që nga viti 2012 ka zbatuar ekzaminimin e organizuar të qafës së mitrës”, tha Dodeva.

Çdo vit regjistrohen 510 mijë raste të kancerit në qafën e mitrës, kurse 288 mijë prej tyre përfundojnë me vdekje (sipas të dhënave të OBSH nga janari 2009). Për dallim nga llojet tjera, kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga virusi i quajtur human papiloma (HPV).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button