Për dhjetë vjet dy ligje të gjuhëve në Maqedoni: çfarë e dallon ligjin e vitit 2018 me atë të 2008-s?!

Sipas analizës “Perceptimet dhe eksperiencat e udhëheqësve dhe nëpunësve shtetërorë për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga viti 2008 në institucione shtetërore”, që u publikua sot në Shkup, dolën shtatë mangësi të cilat bënë që ligji i gjuhëve i miratuar më vitin 2008 të mos ketë përdorim praktik. Sipas rekomandimeve që u thanë nga profesoresha e juridikut, Besa Arifi, ligjin e gjuhëve të vitit 2008 e bëri “të dështuar” shkaku se në të nuk ka pasur akte nënligjore me anë të cilave do të tregoheshin mekanizmat e zbatimit të ligjit të përdorimit të gjuhës, që do të siguronin përdorimin e gjerë, adekuat dhe cilësor të gjuhëve ndryshe prej maqedonishtes, raporton Portalb.mk.

Besa Arifi
Besa Arifi

Sipas Arifit, mungesa e akteve nënligjore ka sjellë deri te ajo që ligji i gjuhëve i vitit 2008 të ketë dallim në shtatë pika me ligjin e gjuhëve të vitit 2018- që pritet të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë.

  1. Ligji i gjuhëve i vitit 2008 nuk ka mundësuar që nëpunësit të jenë të informuar, ndërkohë që ligji i 2018-s mundëson një gjë të tillë, nëpërmjet seancave të trajnimit për obligimet që dalin nga ligji në fjalë;
  2. ligji i gjuhëve i vitit 2008 nuk ka mundësuar që qytetarët të kenë të drejtë të bëjnë kërkesë në gjuhën shqipe, ndërkohë që ligji i 2018-s jep mekanizma se di duhet të përdoret dhe zbatohet i njëjti nëpërmjet akteve nënligjore;
  3. ligji i gjuhëve i vitit 2008 nuk ka pasur dispozitë kohore, ndërkohë që i riu, i vitit 2018 parasheh se që nga dita e miratimit të ligjit, brenda një viti institucionet shtetërore të fillojnë me zbatimin e tij praktik;
  4. ligji i gjuhëve i vitit 2008 nuk ka mundësuar përdorim dhe informim të gjerë të gjuhës ndryshe nga maqedonishtja, ndërkohë që me ligjin e gjuhëve të vitit 2018 kjo parashihet me akte nënligjore të cilat shmangin përdorimin ad-hoc, vetëm kur përballemi me gjuhën ndryshe prej maqedonishtes, dhe gabimeve që mund të vijnë nga ai përdorim;
  5. ligji i gjuhëve të vitit 2008 iu është lënë vullnetit të mirë të nëpunësve shtetëror, ndërkohë që ligji i 2018 parasheh se i njëjti nga kush dhe si duhet të përdoret.

“Këtu shpesh herë janë bërë edhe keqpërdorime, sepse ligji i gjuhëve ka ditur të përdoret edhe në mënyrë të gabuar, duke u shkruajtur mbi maqedonishten. Aktet nënligjore të ligjit të gjuhëve të vitit 2018 do të parashohin se si do të qëndrojnë gjuhët ndryshe prej maqedonishtes, të shkruara në një hapësirë, në raport me këtë të fundit”, tha Besa Arifi.

Gjithashtu me ligjin e gjuhëve të vitit 2008 nuk janë paraparë as sanksione dhe formim i agjencisë dhe inspektoratit që do të jenë përgjegjëse për zbatimin e ligjit të gjuhëve, e kurse që të gjitha këto parashihen të realizohen me ligjin e gjuhëve të vitit 2018.

Hulumtimi: maqedonasit edhe me tej pa qëndrime pozitive për ligjin e gjuhëve!

Ndërkaq, më vitin 2008 në Republikën e Maqedonisë është miratuar ligji për përdorimin e gjuhëve, me anë të së cilit parashihej marrje të shërbimeve administrative edhe në gjuhë ndryshe prej maqedonishtes. Mirëpo, në bazë të rezultateve që u publikuan sot nga organizata e qytetarëve “Vlera të përbashkëta”, të dala nga analiza “Perceptimet dhe përvojat e udhëheqësve dhe nëpunësve shtetëror për zbatimin e ligjit të gjuhëve nga viti 2008 në institucionet shtetërore”, u konstatua se shumica e nëpunësve shtetërorë maqedonas, edhe pas dhjetë vjetëve kanë qëndrime neutrale sa i takon ligjit për përdorimin e gjuhëve të vitit 2008, ndërkohë që shqiptarët kanë qëndrim pozitiv.

“Nëpunësit shtetërorë maqedonas kanë qëndrime neutrale ndaj ligjit të përdorimit të gjuhës, ndërsa ata shqiptarë kanë shprehur se kanë qëndrim pozitiv ndaj ligjit për përdorimin e gjuhëve të vitit 2008”, tha profesoresha Nikolina Kening gjatë prezantimit të hulumtimit.

Juristja Besa Arifi, që të ndryshohen qëndrimet e nëpunësve shtetëror ndaj ligjit të gjuhëve “duhet që ligji i gjuhëve të interpretohet në publik si pozitiv, e jo si kërcënues”.

Sipas hulumtimit të njëjtë, del se numri më i madh i të anketuarve për ligjin e gjuhëve të vitit 2008 janë njoftuar duke e kontrolluar ligjin në fjalë, ndërkohë që pjesa më e vogël prej tyre prej ndonjë kolegu. Alarmante është gjendja me nëpunësit që nuk kan pasur fare njohuri se ekziston mundësi që të merren shërbime shtetërore edhe në gjuhë ndryshe prej maqedonishtes.

“51% e të anketuarve janë shprehur se për ligjin për përdorimin e gjuhëve në vitin 2008 janë informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ligji, 24% e tyre nuk kanë pasur aspak njohuri ose nga askush nuk kanë marrë njohuri, ndërkohë që 9 për qind e të anketuarve janë informuar nga koleget e kurse 16 për qind nga mediat”, tha ndër të tjerash profesoresha Nikolina Kening.

Sipas asaj që u tha nga Kening, në hulumtimin e realizuar gjatë muajit nëntor të 2017, është vërejtur se “udhëheqësit institucional kanë qenë më të informuar se ekziston një ligj i cili mundëson dhënie-marrje të shërbimeve shtetërore edhe në gjuhë ndryshe prej maqedonishtes”.

Ndërkaq kryetarja e shoqatës së qytetarëve “Vlera të përbashkëta”, Razije Jonuzi bëri të ditur se hulumtimi ka përfshirë katë ministri dhe është publikuar në shtatë gjuhë: vllehe, rome, turke, maqedonase, shqipe, boshnjake dhe serbe.

“Në hulumtim janë përfshirë udhëheqësit dhe nëpunësit shtetëror të pushtetit qendror, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.

Kur jemi te institucionet shtetërore, në ngjarje i pranishëm ishte edhe këshilltari shtetëror në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Atulla Kasumi, i cili tha se ligji i gjuhëve në vitin 2008 ka ardhur si rezultat i polemikave të ashpra të cilat edhe sot janë aktuale. Kasumi vlerësoi se ligji i gjuhëve duhet të shihet si një vlerë shtetërore.

“Më vitin 2001 është bërë debat i ashpër për miratimin e ligjit të gjuhëve në vitin 2008. Këtë e kam kuptuar nga biseda me njerëz që kanë qenë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, megjithatë, gjuha nuk duhet të shihet si diçka që kërcënon, por ai reflekton karakterin e shtetit, dhe nëse dëshirojmë që të kemi shtet multietnik, në të duhet të fliten shumë gjuhë”, tha Kasumi dhe shtoi se mangësi e ligjit të vitit 2008 kanë qenë se nuk është arritur të sigurohen përkthyes profesional dhe se nuk janë paraparë sanksione për të njëjtin.

Publikimi i analizës u realizua në kuadër të projektit “Komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në nivel qendror në pajtueshmëri me ligjin e gjuhëve”, i financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur- Maqedoni dhe Bashkimi Evropian dhe ka për qëllim përmirësimin e zbatimit të ligjit të gjuhëve nëpërmjet dokumenteve dhe ndjekjen e realizimit të ligjit të gjuhëve nga vitit 2008 në institucionet e caktuara të pushtetit qendror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button