U hap Zyra e Mërgimtarëve në Gostivar, Taravari ua tregoi hallet mërgimtarëve!

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari realizoi mbrëmë takim me mërgimtarët të cilët gjatë festave të fundvitit po qëndrojnë në vendlindje.

Taravari, theksohet në kumtesën e Komunës së Gostivarit  i njoftoi mërgimtarët me gjendjen aktuale në komunë dhe me problemet që paraqiten për shkak të mosfunksionimit të Këshillit të Komunës dhe obstruksioneve që po i bëhen nga ana e oponentëve politik.

“E trashëguam komunën me borxhe enorme të cilat kalojnë shifrën prej 2 milionë euro, pa mos llogaritur këtu borxhet e ndërmarrjeve publike të cilat kapin ndoshta katërfishin e borxheve të komunës. Trashëguam një administratë komunale, ndërmarrje publike dhe shkolla të partizuara skajshmërisht. Konstatuam atë që qytetarët e dinin por nuk kishin argumente, abuzime të shumta të cilat janë bërë me paratë publike, respektivisht me paratë e taksapaguesve gostivaras. Ne të gjitha këto do t’i zbardhim sepse ekzistojnë shërbime komunale dhe organe shtetërore të cilat ekzistojnë enkas për këtë, kështu që kjo nuk do të na harxhojë energji dhe nuk do të na pengojë që punët t’i ecim para”, theksoi Taravari.

Në lidhje me mosfunksionimin e Këshillit të Komunës, ai njoftoi mërgimtarët, se ai dhe këshilltarët të cilët mbështesin atë, janë përpjekur dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të gjetur kompromis për të bashkëpunuar me qëllim që shkaku i fërkimeve politike të mos pësojnë qytetarët, por se mungon vullneti nga ana tjetër.

“I kemi përdorur të gjitha mjetet dhe vazhdojmë të bëjmë përpjekje edhe më tutje që mos bllokohet puna e këshillit, por nga pala tjetër hasim në mungesë të vullnetit, e që përcillet me kërkesa joracinale siç është të mbajmë në punë militantë partiakë të tyre të cilët jo vetëm që nuk punojnë asgjë, por edhe nuk vijnë fare në punë. Tregoni ju lutem, a mund të ndodh kjo gjë në vendet evropiane ku ju punoni?”, pyeti mërgimtarët Taravari.

Duke u fokusuar në çështjet që prekin mërgimtarët, kryetari i komunës së Gostivarit i njoftoi ata se tashmë në kuadër të adminstratës komunale funksionon Zyra e mërgimtarëve, që u hap më 15 dhjetor dhe do të funksionojë deri më 15 janar. Do të bëhen analiza të mirëfillta se cila do të ishte forma më e mirë për funksionimin e një Zyre të këtillë, dhe se gjatë verës e njëjta do të jete e hapur tre muaj të plota.

Po ashtu, Taravari njoftoi mërgimtarët se gjatë këtij mandati do tu kushtohet vëmendje e madhe mërgimtarëve, dhe për këtë qëllim duke filluar prej kësaj vere, do të organizohet Java e mërgimtarëve, në kuadër të së cilës për shtatë ditë do të organizohen aktivitete të ndryshme artistike, kulturore, zbavitëse dhe sportive.

Në takim, mërgimtarët shpalosën vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e tyre, ndërsa hodhën edhe ide konkrete për organizimin e mërgimtarëve në një shoqatë e cila do të angazhohej për bashkimin e kapitalit të tyre për të investuar në vendlindje. Për këtë ide, ata morën garanci nga kryetari Taravari, se ai dhe administrata komunale do t’u qëndrojnë në dispozicion për tu asistuar në të gjitha format e mundshme dhe se shantazhet që u janë bërë mërgimtarëve të interesuar për të investuar në vendlindje kapitalin e tyre, do t’i takojnë së kaluarës, njofton  Shërbimi për informim i Komunës së Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button