Dybala irriton Juventusin, vëllai takohet me drejtuesit e PSG-së
Ajo që po ndodh mes Paulo Dybala dhe Juventusit mbetet ende një mister. Por, raporti mes klubit bardhezi dhe talentit argjentinas, i cili të dielën kundër Bolognës e pa veten në pankinë për të dytën herë me radhë, duket se është minuar, transmeton Top Channel.
Por, ajo që zbulon “Corriere della Sera” është diçka për t’u marrë në konsideratë. Vëllai i tij që kujdeset për interesat financiare e futbollistike të Paulo Dybala, Mariano ka qenë së fundi në një udhëtim drejt Parisit, ku pretendohet se ia ka ofruar shërbimet e argjentinasit ekipit të PSG-së.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja milaneze, që kur Mariano menaxhon interesat e vëllait të tij është vënë re një ndryshim i metodës së stërvitjes së Dybala, aq sa Allegri është detyruar ta lërë jashtë formacionin shpesh dhe me vullnet të plotë, pa pasur ndonjë arsye tjetër përtej futbollit.
Udhëtimi i vëllait të tij në Paris dhe takimi me drejtuesit e Paris SG ka irrituar edhe administratorin e deleguar të Juventusit, Marotta, aq sa Juve duket se ka ndërprerë çdo diskutim mbi një rinovim të mundshëm të kontratës.
Mariano, nga ana e tij, është shprehur i bindur se mundet ta largojë Dybalanë “kur dhe si të dojë”, duke e konsideruar vëllain e tij si pasardhësin e Neymarit, që në qershor mund të përfundojë te Reali i Madridit.