Ja kush është Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku gëzon mbështetjen e amerikanëve

Parlamenti ka zgjedhur dje me 69 vota pro dhe 2 kundër kryeprokuroren e përkohshme. Pavarësisht kundërshtimit të opozitës Arta Marku do të zërë postin e Adriatik Llallës të cilit tashmë i ka përfunduar mandati. Por kush është Arta Marku? Arta Marku, 41-vjeçe nga Puka, ka punuar si prokurore pranë organit të akuzës në Shkodër, duke mbledhur një eksperiencë prej 15 vitesh si prokurore e këtij rrethi. Është diplomuar si juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë në “Universitetin e Tiranës”, transmeton Sot News.

Në vitin 2002 ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës,Tiranë. Nga viti 2003 dhe në vijim është trajnuar brenda dhe jashtë vendit nga institucione akademike si Shkolla e Magjistraturës, Universiteti i Gjenevës, Fakulteti i Drejtësisë,TAIEX, OPDAT etj. Ndërkaq Arta Marku ka punuar si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier për dy vite në periudhën 2001-2002. Ndërsa nga viti 2002 dhe vazhdim është emëruar prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ndërkohë në prill 2009-janar 2016 ka ushtruar detyrën e zv/drejtueses të njësisë së përbashkët Hetimore për hetimin e krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Gjatë viteve 2010-2014 Arta Marku ka punuar si pedagoge në Universitetin Gjon Buzuku në Shkodër. Madje Marku e ka nisur karrierën e saj në kohën kur kryeprokuror në Shkodër ishte Ulsi Manja, ndërkohë që prej 16 vitesh dosjet e hetuara prej saj dhe të përfaqësuara në Gjykatë kanë qenë fare të pakta. Një ndër to është dosja ndaj pedagogut Fran Qafa, i cili më pas mori pafajësinë në Gjykatë. Kryeprokurorja e re është nënë e dy vajzave të mitura, ndërsa bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore për qarkun Lezhë. Ndërkaq Arta Marku njihet si një prokurore tejet hermetike, e kujdesshme, për të mbetur jashtë vëmendjes mediatike e opinionit publik. Madje gjatë garës për vendin e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, Arta Marku deklaroi në Komisionin e Ligjeve se Prokuroria është në kaos dhe se ajo është e aftë për t’i rikthyer normalitetin. “E shoh Prokurorinë në kaos dhe kam aftësinë të kthej normalitetin. Prokurorët janë të hutuar, të demotivuar, pasi emërimet nuk kanë lidhje me meritat.

Në sistem ka prokuror me integritet e moral, që mund t’i japin sistemit shumë. Do bëj të zbatohen drejt ligjet. Do inkurajoj çdo prokuror që të trajtojë e zgjidh çdo çështje. Do garantoj mbështetjen time në hetimin e çështjeve. Do bëj të mundur ndryshimin e situatës aktuale që ka të bëjë me ruajtjen e sekretit hetimor”, deklaroi Marku para Komisionit të Ligjeve pak ditë më parë. Sipas burimeve, ajo gëzon mbështetjen e amerikanëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button