Kur do të rishkruhet Enciklopedia?

Në shtator të vitit 2009, kur u botua “Enciklopedia” maqedonase, e cila, për shkak të protestave shqiptare, u tha se do të tërhiqet gjersa të përgatitet version i përmirësuar, shkruajta artikullin me të cilin porosita lexuesit që të mos mbajnë shpresa të kota, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Mjerisht, parashikimi doli i saktë, sepse pamfleti në fjalë u hoq pro forma nga qarkullimi për të vazhduar de facto shpërndarjen klandestine, ashtu si i konvenonte pushtetit albanofob.

Sot, ndërkaq, shpresa se qeveria properëndimore e z. Zaev vërtet synon ndërtimin e një shteti demokratik, ku shqiptarët duhet t’i gëzojnë të drejtat individuale dhe etnike, lind idenë e nevojës së eliminimit të gjithë gjeneratorëve të krizave ndëretnike, ku gjithsesi bën pjesë dhe enciklopedia që përbuz personalitetet shqiptare, shtrembëron faktet historike dhe përvetëson trashëgiminë tonë shpirtërore e materiale.

Ja pra përse duhet të rishkruhet nga e para enciklopedia e përgatitur për trashjen e paragjykimeve për ne, brenda dhe jashtë vendit.

Po ndalemi sot te përfshirja e krijuesve letrarë shqiptarë në Enciklopedi, për të kuptuar hilenë e maskuar me mjeshtri. Kështu, në shikim të parë, mund të fitojmë përshtypjen sikur ata nuk u lanë krejtësisht jashtë vëmendjes, sepse në total janë 27 zëra, që nga Rexhep Voka e gjer te brezi krijues i viteve të ‘90-ta. Megjithatë, Enciklopedia la jashtë emra shumë domethënës të letërsisë shqipe në Maqedoni, si: Haki Stërmilli (romansieri i hershëm nga këto troje…), Sadudin Gjura (poeti i talentuar që u eliminua në mënyrë tinzare dhe u la me muaj i pavarrosur në bjeshkët e Sharrit …), Mahmud Hysa e Agim Vinca (krijues e studiues të  letërsisë…), Rahmi Tuda e Nuhi Vinca (studiues të folklorit shqiptar…), Halit Basha, Mustafa Laçi, Nexhat Pustina, Murtezan Arifi, Salajdin Salihi, Lulëzim Haziri (shkrimtarë e poetë të njohur…) dhe një numër të konsiderueshëm krijuesish të tjerë, që do të duhej të zinin vend në faqet e Enciklopedisë, duke pasur parasyshë kualitetet e zërave të përfshirë të etnive të tjera, si puna e krijuesve maqedonas, serbë e turqë.

Ndryshe nga letërsitë tjera, letërsia shqipe që krijohet në Maqedoni u kundrua me dioptri shumë negative. Ajo u nda nga pjesa tjetër e letërsisë sonë dhe u vu në kontekst të minimizimit të vlerave të krijuara prej tyre, me kujdesin që asgjë të mos dilte jashtë kornizës së paraparë për ta. Kështu, autorë eminentë si Murat Isaku e Abdylazis Islami u barazvlerësuan për nga sasia dhe cilësia e të dhënave me krijues minorë të përkatësive të tjera etnike. Natyrisht, kjo nuk ndodhi me kolegët maqedonas të brezit të tyre me arritje të parafërta, si Sllavko Janevski, Radovan Pavllovski e ndonjë tjetër.

Dëshminë e minimizimit të vlerave të letërsisë shqipe e kuptojmë edhe nga mënyra e trajtimit të arritjeve tona të shënuara në fushat tjera të jetës. Bie fjala, në faqet e Enciklopedisë maqedonase, personalitete si Nëna Terezë, Ferid Murati e ndonjë tjetër… janë pa përkatësi etnike, kurse Leka i Madh, Jan Kukuzeli…, figura të famshme historike e luftëtarë të dëgjuar arvanitas në përkatësinë etnike të të cilëve mund të thirremi edhe ne, duke iu referuar librave të shumtë botërorë që i lidhin emrat e tyre me shqiptarët, janë dhënë me përkatësi etnike maqedonase;

nuk ekziston asnjë zë për Qiriazët e famshëm, apo për Kumbarët, të shndërruar sot në Kirijazovskë e Kumbarovskë…; asnjë e dhënë mbi trashëgiminë kulturore materiale të shqiptarëve; asnjë fjalë e vetme për shqiptarët ortodoksë të Rekës së Gostivarit, nga radhët e të cilëve kanë dalë akademikë, poetë, krijues, gazetarë, studiues të shquar…, që vetëm tani së fundmi kanë nisur ta pranojnë ndërdhëmbshëm të vërtetën e hidhur mbi asimilimin e tyre…; shtremberohen të dhënat për kishat katolike e ortodokse dhe manastiret e teqetë bektashiane shqiptare, si Shën Ndaumi, Shën Nikolla, Jovan Bigorski, Harabati Baba… dhe rolin e tyre në historinë shqiptare…; nuk thuhet asnjë fjalë për kullën e moçme shqiptare në oborin e parlamentit të Maqedonisë, ku thonë se ka banuar një kohë prijësi i luftëtarëve liridashës shqiptarë Isë Boletini; asnjë e dhënë për shtëpinë monumentale të Halim Beut apo të Xhafer Sulejmanit të Tetovës…;

asnjë zë mbi kompleksin unikat të pashallarëve të Tetovës…; asnjë e dhënë për polifoninë shqiptare – brendin tonë të mbrojtur nga UNESKO-ja, që kultivohet me shekuj edhe në Prespë e Strugë; asgjë për muzikën karakteristike dyzërëshe kërçovare; nuk përmendet fare këngëtarja e parë e njohur shqiptare në Maqedoni – Gonxhe Manaku (në dokumente zyrtare Manakovski); shtrembërohen të dhënat për personalitetet si kardiologu i famshëm Jusuf Rexhepi, apo mësuesi atdhetar Azem Morana; heshtet emri i ndritur i intelektualit dhe prefektit të parë të Tetovës – Shaip Kamberit, të vrarë në mënyrë barbare nga partizanët më 1945…; për ironi, nuk ka asnjë rresht të vetëm për albanologun më të spikatur të këtyre trevave – Profesor Remzi Nësimin, ndërkohë që janë shkruar penegjerikë për tipa me CV shumë modeste profesionale…

Kur flitet për arsimin e lartë shqip në Maqedoni, ofrohet hapësira e duhur vetëm për personalitetin e  Maks Van Der Shtulit (themeluesit të UEJL, Tetovë), po nuk përmendet fare Profesor Fadil Sulejmani – themeluesi i Universitetit publik Shtetëror të Tetovës, që, pa dyshim, simbolizon shpresën e rritës së shqiptarëve të mbetur në kufijtë e Maqedonisë etj. U relativizua dhe tkurr maksimalisht madje edhe kryengritja e Dervish Carës (1873-1877), njëra ndër betejat më të përgjakshme antiosmane, me shtrirjen më të gjerë gjeografike dhe me afro 200.000 kryengritës shqiptarë. Shqiptarëve madje nuk u takojnë as faltoret e vjetra muslimane të ndërtuara me paratë dhe djersën e tyre, sepse edhe ato na qenkan të kohës otomane dhe për rrjedhojë më shumë të turqve sesa tonat…

Me një fjalë, është heshtur gjithçka shqiptare, sepse gjithçka e trashëguar si ndodhi e bukur në të kaluarën duhej t’i takojë vetëm kombit biblik të Gruevskit. Është heshtur gjithçka e vlefshme dhe e denjë për një enciklopedi serioze, sepse ashtu e deshi projekti, që pati për qëllim ishullzimin e letërsisë sonë dhe prezantimin e saj si letërsi e re dhe e patraditë, gjithsesi më e re dhe më pa themel se letërsia maqedonase; epërsinë racore e kulturore të maqedonasve ndaj shqiptarëve; mbjelljen e kompleksit të vlerës së ultë dhe të vetëdijes së shoqërisë ardhacake, me kulturë          rastësore, me kontribute modeste dhe me prurje triviale…; imponimin e idesë së kulturës inferiore dhe pa të kaluar, të kulturës pa rrënjë dhe, për rrjedhojë, edhe pa të ardhme.

Enciklopedia, pra, u bë fund-e-krye në funksion të propagandës dhe krijimit të miteve të lavdisë për vetveten dhe miteve të djallëzimit të të tjerëve, fund-e-krye e sunduar nga tendencat zhvlerësuese të shqiptarëve, nga njëra anë dhe nga tendenca e ikonografizmit të maqedonasve nga ana tjetër. Thjesht është një përrallë mitologjike e një etnie të mohuar nga të gjithë fqinjët e saj, përveç shqiptarëve, të cilët, në vend se të respektoheshin për këtë gjest, që shpesh i kapërcen kufijtë e naivitetit, u përçmuan në vazhdimësi, gjë që erdhi si pasojë e kompleksit që zakonisht ka i përbuzuri, sa herë që kërkon ta shfryejë hakërrimin mbi më të dobëtit se vetja…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button