Komision Anketues, hetim ndërkombëtar dhe ankesë për dënimin ende nuk ka: a po harrohet “Grupi i Kumanovës”?!
Për hetimin ndërkombëtar për rastin “Kumanova” u tha se do të diskutohet në nivel kryeministror të Maqedonisë dhe Kosovës, por ajo sot nuk ka ndodhur, nga ana tjetër ankesë për dënimin e “Grupit të Kumanovës” ende nuk ka sepse zyrtarish deri më sot pala mbrojtëse nuk ka marrë njoftim për vendimin e Gjykatës Penale ndërkaq edhe Komisioni Anketues në Kuvendin e Maqedonisë nuk pritet të formohet as deri në shkurt. Të gjitha këto a po bëjnë që të harrohet dënimi prej më shumë se shtatë shekuj i “Grupit të Kumanovës”?!, shkruan Portalb.mk.
Kryeministri i Maqedonisë dhe ai i Kosovës, Zoran Zaev dhe Ramush Haradinaj pas takimit të përbashkët në Prishtinë njoftuan se sa i takon hetimit ndërkombëtar që u kërkua nga kryeministria dhe presidenca e Kosovës dhe familjarët e të dënuarve të “grupit të Kumanovës” nuk është ndërmarrë asnjë hap për realizim të tij, raporton Portalb.mk.
- LEXO: Një muaj nga kërkesa e Kosovës për hetim ndërkombëtar të “Kumanovës”, asnjë hap për realizim të tij
Zaev dhe Haradinaj as nuk kanë biseduar për të njëjtën në takimin e sotëm, megjithëse nga ministrat e Brendshëm të të dyja shteteve në pyetjen e Portalb.mk thanë se për hetimin ndërkombëtar do të diskutohet në nivel kryeministror.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se bëhet shumë kujdes në këtë pikëpamje, që e njëjta të mos cenojë marrëdhëniet Maqedoni – Kosovë.
“Kjo është një çështje e ndjeshme e cila nuk është nxitur as nga Zoran Zaev e as nga Ramush Haradinaj. Bëhet fjalë për një situatë që meritojnë qytetarët e të dyja shteteve të dinë të vërtetën e plotë. Në këtë aspekt kemi qëndrime të përbashkëta se duhet të ketë hetim ndërkombëtar ose do të ftohen ekspertë ndërkombëtar të cilët do të shqyrtojnë të gjitha elementet dhe do të japin përgjigje për qytetarët. Këtë e meritojnë si nga qytetarët e Kosovës, por edhe ata nga Maqedonia. Në këtë aspekt punojmë që të mos jetë pengesë e përparimit të marrëdhënieve Maqedoni – Kosovë. Jemi të bindur që për shkak të interesit të publikut dhe asaj që paraqet nevojë qytetare do të punojmë që qytetarët të kenë mundësi ta dinë të vërtetën e plotë”, tha Zaev.
Ndërkaq, homologu i Zaev, Ramush Haradinaj duke mos komentuar më shumë për sa i takon kërkesës së tij të para një muaji, tha: “Nuk kam çfarë të shtoj, kjo është kjo”, tha shkurt Haradinaj.
Përndryshe, më 4 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj pas takimit të tij me homologun e Maqedonisë, Oliver Spasovski tha se: “Sot jemi takuar për diçka tjetër dhe nuk kemi diskutuar për çështjen në fjalë. Hetimi ndërkombëtar do të jetë temë diskutimi në takimin ndërmjet kryeministrave të Maqedonisë dhe Kosovës”, tha Sefaj duke mos dhënë informata se çfarë është ndërmarrë nga Kosova në lidhje me kërkesën e para një muaji.
Ndërkaq homologu i Sefajt në Maqedoni, Oliver Spasovski i cili qëndron në krye të Ministrisë e cila është e obliguar për përgatitje të dokumentacionit për hetim ndërkombëtar, tha se ka qëndrimin e njëjtë të shprehur më parë nga ai dhe kryeministri i Maqedonisë.
Rasti “Kumanova”, pala mbrojtëse edhe më tej pa njoftim zyrtar për vendimin
I pyetur nga Portalb.mk se kur dhe a pritet të ankohet pala mbrojtëse në lidhje me vendimin e Gjykatës Penale për rastin “Kumanova”, avokati Mefail Arsllani tha se zyrtarisht ende nuk ka njoftim për vendimin e rastit “Kumanova”.
Siç bëri të ditur Arsllani, vetëm pasi të njoftohet pala mbrojtëse për vendimin, atëherë do të kenë mundësi të ankohen.
“Zyrtarish ne ende nuk jemi njoftuar për vendimin në rastin “Kumanova” dhe prandaj deri sot nuk kemi mundur të ankohemi në lidhje me vendimin në fjalë. Vetëm pasi të marrim njoftimin nga Gjykata Themelore për vendimin e marrë nga Gjykata Penale për rastin “Kumanova” atëherë ne do të mund të parashtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit”.
Sipas rregullores, deri te shpallja e vendimit dhe njoftimi i palës mbrojtëse për të duhet të kalojnë 60 ditë, por Arsllani u shpreh se: “ky afat kohor prej 60-ditësh në Maqedoni shpesh herë ka ditur të shkelet”.
Sipas përllogaritjeve, njoftimi nga Gjykata Themelore për vendimin e Gjykatës së Penale në rastin “Kumanova”, nëse shkon sipas afatit të paraparë pala mbrojtëse do të mund ta marrë në janar të 2018-s.
Komisioni Anketues për rastin “Kumanova” do të shqyrtohet pas janarit
Siç mëson Portalb.mk, deputetët e Maqedonisë nuk janë duke punuar në formimin e Komisionit Anketues për rastin Kumanova që u paralajmërua nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pasi që janë në pritje që gjykimi i rastit të “Kumanovës” të kalojë në fazën e dytë.
Meqë faza e dytë e gjykimit të rastit “Kumanova” vjen pas ankesës së palës mbrojtëse për vendimin e Gjykatës Penale, Komisioni Anketues për rastin “Kumanova” nuk do të shqyrtohet as deri në shkurt të 2018-s.
- LEXO: Komisioni Anketues për “Kumanovën”, asnjëri nga deputetët e Maqedonisë nuk ka ngritur iniciativë
Sipas profesorit Osman Kadriu që komisioni anketues për rastin “Kumanova” të ketë efekt duhet të kemi reformim të tërësishëm të gjyqësorit, veçanërisht të Këshillit Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.
Ndryshe, hetim ndërkombëtar është kërkuar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.
Përndryshe, më 2 nëntor u tha vendimi gjyqësor për rastin “Kumanova” ku për “Grupin e Kumanovës” u shpall dënim me 7 shekuj e gjysmë burg e 7 dënime me burgim të përjetshëm. Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit kishte edhe protesta të shumta në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Vjenë.