Shkëlqimi dhe rënia e “shokut” Gruevski

Kryetari i deridjeshëm i partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, karrierën e tij politike e ka filluar 26 vjet më parë, gjegjësisht në vitin 1998. Në hapat e parë, ai në publik është shfaqur si njeri ambicioz dhe me paralajmërime për reforma në ndërtimin e shoqërisë së drejt për të gjithë qytetarët. Fillimisht ka qenë ministër për Tregti, ndërkaq pastaj ministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Lubço Georgievski. Gruevski në maj të vitit 2003 e ka marrë timonin e partisë, ndërkaq në vitin 2006 ka hyrë në koalicion me PDSH-në, me çka vjen në pozitën e kryeministrit ku qëndron për 10 vjet, shkruan Portalb.mk.

Për aq sa ka qenë në pushtet, padyshim që projekti i tij më kontrovers ka qenë “Shkupi 2014”, për realizimin e të cilit janë shpenzuar rreth gjysmë miliardë euro në kohën kur Maqedonia përballej me krizë të rëndë ekonomike. Projekti në fjalë është kundërshtuar edhe për shkak të karakterit të tij një etnik si dhe me krijimin e problemeve shtesë me Greqinë.

Si datë negative gjatë sundimit të Gruevskit, mund të ceket edhe 3 prilli i vitit 2008, ku në Samitin e NATO-s në Bukuresht të Rumanisë, Greqia e bllokoi ftesën për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Me gjithë përpjekjet e forta të disa vendeve kryesore për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë, kryesisht të Shteteve të Bashkuara, Greqia nuk i dha pëlqimin ftesës për Maqedoninë, duke e argumentuar këtë me marrëdhëniet e këqija fqinjësore për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit të Maqedonisë.

VMRO-DPMNE, Gruevski

Gruevski, gjatë periudhës sa ka qenë në pushtet, shqiptarët i ka trajtuar si “armiq” dhe për atë përpara maqedonasve ka kërkuar vazhdimisht 63 deputetë që “të mos shantazhohet”, ndërkaq përpara shqiptarëve ka thënë se “punon për të mirën e gjithë qytetarëve”.

Gjatë periudhës që ka sunduar Gruevski janë bërë një sërë arrestimesh, të cilat kanë lënë shenja të pashlyera – shumë prej tyre llogariten si raste të montuara politikisht, ndërkaq një pjesë e tyre janë shkruar edhe në raportet ndërkomëbtare.

Në kohën e Gruevskit ndodhi rasti “Brodeci”, “Monstra”, “Kumanova”, u zvarritën nëpër burgje të pafajshmit e “Sopotit”, u mbyll televizioni A1, “E hëna e zezë”, u kryen aksionet “Syri i gjarpërit”, “Spiuni”, “Detonator”, “Falanga”, u arrestua Lube Boshkovski, gazetari Tomisllav Kezharovski, u vra i riu Martin Neshkovski, si dhe ka dyshime në aksidentin e gazetarit Nikolla Mlladenov. Gjatë periudhës së Gruevskit gjithashtu janë ndjekur shoqëria civile dhe shumë gazetarë, duke i akuzuar se financohen nga faktorët e huaj për t’i bërë dëm Maqedonisë. Këto janë disa nga rastet më tragjike që kanë ndodhur gjatë këtij pushteti, ndërkaq së fundmi, partia e Gruevskit, organizoi dhe 27 prillin e përgjakshëm, ku u rrahën deputetët dhe gazetarët brenda shtëpisë legjislative.

Rënia e Gruevskit

Me fillimin e publikimit të “bombave”, “shoku” Gruevski që kishte në duar pushtetin absolut, duke përfshirë edhe gjykatat, filloi ta humb fuqinë nga shkurti i vitit 2015, kur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëshmonte me biseda të përgjuara krimin e pushtetit të VMRO-DPMNE-së. Gruevski fillimisht “nuk lëshoi pe”, ndërkaq nëpërmjet makinerisë propagandistike në media, ai u shpalli luftë faktorëve ndërkomëbtare duke i akuzuar ata se i kanë ngritur “kurth”.

3 muaj pas fillimit të publikimit të “bombave” ndodhi incidenti i Goshincë, ndërkaq menjëherë më pas edhe konflikti i armatosur mes Grupit të Kumanovës dhe forcave të Maqedonisë, ku si pasojë u vranë 8 polic dhe 10 pjesëtarë të grupit. Këto dy raste, në opinion shquhen si të inskenuara nga shërbimet sekrete të cilat kanë pasur për qëllim që të humbin vëmendjen nga publikimi i “bombave”, prej të cilave dilnin afera korruptive nga pushteti i atëherhshëm i Gruevksit, transmeton Portalb.mk.

Nikolla Gruevski, fotografi e edituarNikolla Gruevski, fotografi e edituar

Pas këtij incidenti, faktori ndërkombëtar ka ndërhyrë duke iniciuar bisedime disamujore për të krijuar të ashtuquajturën Marrëveshja e Përzhinës. Sipas kësaj marrëveshje, Zaev duhej të ndalë me publikimin e “bombave”, ndërkaq, Gruevski duhej të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Si rezultat i kësaj marrëveshjes, u krijua Prokuroria Speciale Publike (PSP) e cila pushtetin e Gruevskit e akuzohen për mashtrime zgjedhore, gjegjësisht falsifikim të tyre; për qërim hesapesh me kundërshtarët politik me burgosje dhe raste të montuara si dhe me dëmtim financiar të tyre; për fshehje të tatimit, malverzimeve dhe larje parash; për jetë luksi në shpinë të qytetarëve; për kurdisje të tenderëve me vlera marramendëse; me përgjim të gazetarëve, politikanëve, njerëzve me poste të ndryshme, por edhe të qytetarëve.

Gjithsesi, Gruevski, do të mbahet mend si kryeministri që bëri regres në proceset euro-atlantike, në lirinë e mediave, sistemin gjyqësor, marrëdhëniet ndëretnike, por edhe në stagnimin ekonomik të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button