Peshëngritësja e “artë” premton sërish medalje
Botërori i Peshëngritjes i zhvilluar në Kaliforni regjistroi suksesin e shqiptares Romela Begaj. Sportistja kuqezi u shpall kampione bote në stilin e shkëputjes si dhe doli nënkampione e botës në dygarësh, rezultate të cilat Begaj premtoi t’i replikojë, transmeton Top Channel.
Jo rrallëherë sportistët shqiptarë janë detyruar të kthejnë medaljet për shkak të rezultimit pozitiv me doping. Romela Begaj e provoi në kurriz të saj pas botërorit të Kazakistanit në 2014, por si ajo si presidenti i Federatës, siguruan se medaljet e saj në SHBA, janë të pastra.
“Rimarrja e titullit kampion bote, atë që ja mohuan para 3 vjetësh, vajzës së sakrificave, Romela Begaj. Një Shqipëri e vogël dominoi në Amerikë duke shpallur këtë brilant kampione”, shprehet Elez Gjoza, President i FSHP.
Botërori i peshëngritjes në Anaheim të Kalifornisë, regjistroi paraqitje të mira nga Erkand Qerimaj, Briken Calja, dhe Romela Begaj, por vetëm kjo e fundit arriti të marrë medalje.