Zvicra ndihmon Kosovën në sektorin e ujit të pijshëm

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, sot nënshkruan Amendamentin e parë të projekt-marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Zvicrës, lidhur me mbështetjen e Këshillit Ndërministror për Ujëra, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas ceremonisë së nënshkrimit të amendamentit kryeministri Haradinaj falënderoi qeverinë dhe popullin zviceran për një përkrahje kaq të fuqishme në menaxhimin e ujërave në Republikën e Kosovës duke theksuar se si qeveri kanë treguar seriozitetin më të madh me koordinimin ministror.

“Qeveria zvicerane, në këtë rast ambasadori, kanë treguar kujdes që Kosova të avancojë në gjendjen e ujërave në tërësi që ka të bëjë me ujë të pastër për çdo familje. Pra, duhet ta pranoj se është hera e parë që sot isha në dijeni se 87 për qind e familjeve të Kosovës kanë ujë të pijshëm njëkohësisht katër prej qendrave të impiantit për ujëra të zeza janë duke u ndërtuar në katër qendrat (Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë) dhe tre të tjerat janë në proces”, tha Haradinaj.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet në takimin e Këshillit Ndërministror për Ujëra tha se ndjehet i lumtur që kanë kontribuar në suksesin e këtij projekti. Ai tha se autoritetet kosovare kanë përmirësuar legjistraturën për të punuar më mirë në këtë sektor.

Lebet tha se ky investim në përmirësimin e kushteve sa i përket ujërave në Kosovë ka patur një kosto për taksapaguesit zviceran prej 70 milionë eurosh ndërsa janë dërguar edhe 30 milionë euro shtesë.

“Jemi shumë konfident që këto para janë të investuara shumë mirë dhe jemi të sigurtë sepse ju e keni vendosur një sistem për administrimin e ujërave dhe ky Këshill ndërministror që është shumë specifik dhe ndërlidh tre ministritë nën autoritetin tuaj ku gjërat janë të koordinuara në një mënyrë transparente që mundëson implementimin e mirë të këtij projekti”, deklaroi Lebet.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes u mbajt edhe takimi i Këshillit Ndërministror për Ujëra ku morën pjesë kryeministri Haradinaj, ministrat e linjës së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e qeverisë zvicerane.

Ndërsa ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Albena Reshitaj, në takimin e Këshillit Ndërministror për Ujëra, tha se është fat i madh që ministria e ka marrë si prioritet trajtimin e ujit në Kosovë. Ajo potencoi se kjo temë është njëra nga pikat jetike për Kosovën.

“Jemi të përkushtuar të bashkëpunojë me të gjithë donatorët të cilët i falënderoj që po e bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke përkrahur trajtimin e ujit qoftë ujit të pijshëm qoftë trajtimin e ujërave të zeza”, tha Reshitaj.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës e themeloi Task Forcën për Ujërat (TFU) në vitin 2008, në mënyrë që ta avancojë reformën e sektorit të ujit në vend. Task Forca e Ujërave ishte një trup vendimmarrës ndërministror me detyrë të avancojë sektorin e ujit dhe kornizave të politikave dhe strategjive lidhur me planet e veprimit dhe i cili shërbente edhe si platformë e koordinimit të përpjekjeve nga ana e palëve vendore dhe ndërkombëtare në reformimin e sektorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button