Komiteti ekzekutiv i VMRO-së sot diskuton dorëheqjen e Gruevskit

Ka filluar “Lufta për fronin” opozitar. Paralajmërimi i Nikolla Gruevskit se pas 15 vitesh planifikon të tërhiqet nga posti i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, ka shtuar ambiciet e zëvendësve të tij të mundshëm. Në opinion kohëve të fundit qarkullonin disa emra. Si kandidat më serioz përmendet sekretari aktual i përgjithshëm, Hristijan Mickoski. Ky i fundit është profesor në Fakultetin e Makinerisë në Shkup dhe konsiderohet si teknokrat. Ishte drejtor i përgjithshëm i kompanisë shtetërore ELEM dhe këshilltar për energjetikë në kabinetin e Gruevskit deri sa ishte kryeministër, njofton Alsat M.

Kohë më parë në një intervistë deklaroi se kryetari i ardhshëm i VMRO-së duhet të plotësojë tre kushte, të ketë mbështetje nga anëtarësia, të ketë rejting pozitiv në opinion dhe të jetë i pranuar për komunitetin ndërkombëtar. Sipas informatave të televizionit Alsat , për momentin në mënyrë më aktive po lobon edhe ish ministri i Shëndetësisë dhe Arsimit, Nikolla Todorov. Ai në fund të muajit maj dha dorëheqje nga posti i deputetit dhe njoftoi se tërësisht po tërhiqet nga politika. Ai kohë më parë hapi zyrë të avokatëve. Megjithatë, informatat tona thonë se Todorov ka ambicie për të marrë kreun e partisë opozitare. Por ai prapa vetes ka një bagazh të tërë aferash dhe konsiderohet si një nga ministrat më kontrovers në qeveritë e Gruevskit.

Kundër punës së tij si ministër si shëndetësisë u organizuan disa protesta, ndërsa revolti më i madh i opinionit u pa me rastin e Tamara Dimovskës 9 vjeçare nga Velesi, e cila ndërroi jetë si pasojë e skoliozës në pritje të operacionit. Skandali më i freskët që lidhet me punën e Todorovit është importi paralel i ilaçeve nga Turqia me cilësi të dyshimtë. Ai shpesh u kritikua se prapa vetes ka lënë një kaos në shëndetësi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button