Moti i keq në Shqipëri, nesër pezullohet procesi mësimor

 Gjatë ditës së sotme Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura të shiut në disa qytete të vendit, ndërsa aktualisht institucionet nuk raportojnë për dëme apo përmbytje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, ka vendosur që të pezullojë nesër procesin mësimor në institucionet e arsimit parauniveristar.

“Për shkak të përkeqësimit të motit në të gjithë vendin, si dhe nga informacionet e marra nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore mbi situatën e reshjeve të dendura të shiut, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njofton pezullimin e procesit mësimor, në datën 01 dhjetor 2017, në të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniveristar”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ky institucion nuk ka marrë vendim për pezullimin e procesit mësimor në sistemin universitar.

Ndërkohë sot në Kryeministrinë e Shqipërisë është mbledhur Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, ku sipas këtij komiteti në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet një situatë e rënduar e reshjeve të shiut, të cilat mund t’i kalojnë nivelet normale. “Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, që funksion pranë kryeministrit të Shqipërisë, ka ndërmarrë të gjitha masat që të gjitha strukturat shtetërore të jenë në gjendje të lartë gatishmërie për të përballuar këtë situatë. Autoritetet përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike, për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të kanaleve kulluese, ato të arsimit, të shëndetësisë, të mjedisit, të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit kanë marrë detyra të detajuara për përballimin e situatës. Deri tani gjendja është nën vëzhgim e kontroll të plotë”, thuhet në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë.

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë disa qytete të vendit, si Tiranën, Kukësin, Gjirokastrën, Vlorën, etj, ndërsa në disa akse rrugore ka patur probleme me qarkullimin e automjeteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button