Ganiu: 28 Nëntori datë që më shumë se çdo gjë tjetër na bën një

Dita e flamurit është ditë e cila më shumë se çdo gjë tjetër na bën një, pa dallime politike, krahinore e fetare, është simbol i qëndresës heroike përballë stuhive të shumta të kohës. 28 Nëntori është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës kudo që jeton, porositi sot nga Sheshi Skënderbeu në Shkup, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Në programin festiv për 28 Nëntorin – Ditën e flamurit, që zhvillohet nën patronazhin e Komunës së Çairit, Ganiu ua uroi të gjithë shqiptarëve festën, siç thotë,  të sakrificës shekullore për liri dhe krenari kombëtare.

“Jemi mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të festuar 105 vjetorin e ditës së flamurit tonë kombëtar, simbol të qëndresës heroike përballë stuhive të shumta të kohës. 28 Nëntori është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës kudo që jeton. Data që më shumë se çdo gjë tjetër na bën një, pa dallime politike, krahinore e fetare sepse jemi të vetëdijshëm se rrënja e ekzistencës sonë si komb është bashkimi. Të ndarë me kufij gjeografik sot, por falë këtij Flamuri të bashkuar shpirtërisht, përgjithmonë në përkrahje të njëri- tjetrit në rrugën e promovimit të vlerave përparimtare”, ka deklaruar Ganiu.

Ky flamur, shton më tej, sot në 105 vjetorin ka bërë rrugë të gjatë, me respekt dhe mirënjohje dhe kurajë për të pranuar çdo kontribut të çdo atdhetari e patrioti që bëri mbërritjen e ditës së madhe, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

“Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër e të paprekur Flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë, udhë ndriçues dhe bashkues. Gëzuar të gjithë shqiptarëve festën e sakrificës shekullore për liri dhe krenari kombëtare”, është shprehur kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Komuna e Çairit me rastin Ditës së flamurit dhe 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka organizuar një sërë aktivitetesh.

Nën mbështetjen e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, sot në hotelin “Aleksandar Pallas” mbahet akademi solemne me rastin e Ditës së Flamurit.

Akademi solemne me rastin e festës kombëtare organizoi edhe Universiteti i Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button