Thaçi: Nëntori është muaji i krenarisë sonë kombëtare

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e Festës së Flamurit, 28 Nëntori, si dhe 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, i ka dërguar një telegram-urimi homologut të tij shqiptar, Ilir Meta.

Thaçi, siç njofton Zyra për Informim e presidentit, ka thënë se ky muaj i krenarisë sonë kombëtare tregon më së miri, jo vetëm për historinë tonë të përbashkët, por edhe për lidhjen e pashkëputshme, sepse ndër shekuj i kemi qëndruar gjithmonë pranë njëri-tjetrit.

Si motra të pandashme, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e Shqipëria, duke e mbështetur njëra-tjetrën, kanë arritur të garantojnë perspektivë të qartë euroatlantike për qytetarët e dy shteteve tona.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni urimet më të mira për Festën e Flamurit, 28 Nëntorin, si dhe për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, thuhet në telegram-urimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Nëntori, ka shtuar ai, ka qenë dhe mbetet përherë muaj i lavdisë për shqiptarët anekënd botës dhe është muaj i festave tona të përbashkëta në më shumë se një shekull.

Sot, thuhet më tej, Kosova është me fat që e ka Republikën e Shqipërisë gjithmonë përkrah, sepse po mëson shumë nga përvoja shtetërore 105 vjeçare.

“Në Kosovë e Shqipëri, populli ynë do të mbetet përherë partner i të gjithë popujve që e duan një të ardhme në paqe dhe në prosperitet për rajonin dhe më gjerë. Jam i lumtur që 28 Nëntorin do ta festojmë sërish bashkë në Vlorën tonë historike”, thuhet në telegram-urimin e presidentit Thaçi për presidentin shqiptar Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button