KRIJUESI I SHQIPËRISË TJETËR

Iku nga kjo botë dhe Albanologut më i shquar “i huaj” i kohës sonë – kanadezi me origjinë gjermane Robert Elsi. Është kjo humbje e madhe për letërsinë, folklorin, përkthimologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, dialektologjinë, leksikologjinë dhe historinë shqiptare, sepse Ai qe më shumë se një institucion, më shumë se një akademi e mirëfilltë shkencash.

Veprat që la pas vetes Ai janë aq të shumta dhe të arrira, sa duken të pamundshme për t’u krijuar përgjatë një jete të rëndomtë njeriu, jo më përgjatë një jete të ndërprerë relativisht herët.

Robert Elsi studioi gjithçka me vlerë dhe gjithçka të bukur që kishte lidhje me shqiptarët, duke dashur ta zbulojë një Shqipëri tjetër prej asaj që e njohu nga armiqtë tanë dhe prej asaj që e njohu vetë. Në vend të Shqipërisë së zhytur në terrin e prapambetjes dhe injorancës, me imazh të shfytyruar, Ai e deshi si i fantaksur Shqipërinë e kulturës, ndoshta, shumë më tepër se ç’e deshëm dhe seç e duam vetë ne. Ai deshi t’ua rrëfejë të tjerëve Shqipërinë e zemrës së tij: Shqipërinë e traditave dhe zakoneve të mira, Shqipërinë e babait të etnologjisë sonë – albanologut të famshëm austriak Von Hahnit – të parit që shpalosi para botës vlerat shqiptare, Shqipërinë e  Norbert Joklit – autorit të fjalorit të parë etimologjik dhe  të dijetarëve të tjerë evropianë, që vunë themelet e shkencave albanologjike, Shqipërinë e Konicës, Fishtës e Nolit, Shqipërinë e Kadaresë dhe të Azem Shkrelit, Shqipërinë e prometejëve që e nderuan atë me vepra konkrete nëpër metropolet e botës.

Vepra e Robert Elsit është e jashtëzakonshme dhe kap përmasat e një biblioteke dhe arkivi të paanashkalueshëm për cilindo që do të studiojë fushat që preku Ai. Ato vepra kanë për emërues të përbashkët (a thua vetëm rastësisht?) fjalët SHQIPTARË dhe KOSOVË.

Ja disa prej tyre: “Fjalor i letërsisë shqiptare”, “Histori e letërsisë shqiptare”, “Përralla dhe legjenda shqiptare”, “Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”, “Doracak i kulturës popullore shqiptare”, “Kanuni: e drejta zakonore shqiptare…”, “Fjalor historik i Shqipërisë”, “Fjalor historik i Kosovës”, “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”, “Këngë kreshnikësh – poezi epike shqiptare”, “Stuhi në horizont: rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni”, “Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar”, “Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje”…

Të njëjtë janë dhe titujt e dorëshgkrimeve të të tjerëve që përgatiti për botim, si:  “Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë”,  “Histori e Shqipërisë”,  “Eduard Li në Shqipëri”, “Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11 – 17”,  “Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare”…

Pra: gjithçka që ka bërë ky studiues lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, pa përmendur këtu studimet mbi kulturat e të tjerëve që i njihte gjithashtu si zot shtëpie.

Përveç se të botuara në vendet dhe gjuhët kryesore të botës, perveçse të bëra pjesë e rafteve të bibliotekave dhe arkivave më prestigjioze, gjithë këto vepra Roberti i publikoi edhe në faqe të njohura të internetit, të cilave u referohen studiuesit serioz. Faqet në fjalë gëlojnë prej dokumentesh e tekstesh të rralla, prej regjistrimesh zanore të mbi 150 të folmeve të rajoneve dhe vendeve të ndryshme ku flitet shqipja; me zëra personalitetesh të shquar shqiptarë; me galeri digjitale të artit pamor; me leksione të përkthyera në gjuhë të huaja mbi letërsinë, historinë dhe totalitetin shqiptar.

Megjithatë, kjo që bëri Robert Elsi për artin dhe për kulturën shqiptare nuk është e tëra. Ai, si një vëlla yni biologjik, përveç virtyteve, nuk hezitoi t’na i thotë në fytyrë edhe të metat, sepse e vërejti maninë tonë për të justifikuar cenet, duke mbajtur gishtin në drejtim të tjetrit.

Për mendimin tim, ky guxim qytetar, i munguar ndër ne, është njëri prej shkaqeve që më bën të përulem përpara këtij njeriu me përmasa Mont Everesti. Për këtë, e gjykova të arsyeshme njohjen tuaj me qortimet e dashamirësit të dëshmuar të racës sonë, sepse, një etni, mund të ecë përpara, jo duke marë mësyshë vetveten, si ai zogu i fabulës që mahnitet nga pesha e tij që lëkund degën e vockël ku është ulur të pushojë, por duke u ballafaquar me dregëzat që nuk e lënë të esë përpara.

Po e nis me qortimet që na i bëri si shqiptarë: Kur shkova të parën herë në Shqipëri, më 1978, pashë se niveli i jetës ishte ai i Afrikës. Më dukej vetja holivudian dhe assesi nuk mund ta merrja seriozisht anën politike – tabelat, afishet dhe propagandat…S’e kuptoja si mund ta merrnin njerëzit seriozisht këtë vend absurdi.

Gjeografia juaj, thoshte Ai, është e vogël, e prapambetur dhe pa interes gjeopolitik apo ekonomik. Ju duhet të ndryshoni më shpejt se popujt tjerë, keni nevojë të ecni shpejt, sepse keni shumë rrugë për të ecur, sepse të gjithë të tjerët janë përpara jush. Ndoshta krahasuar me disa vende të Ballkanit nuk jeni dhe aq pas, por, në raport me vendet evropiane, jeni bindshëm të fundit, kryesisht për shkak të historisë së hidhur të Shqipërisë dhe Kosovës, varfërisë dhe prapambetjes… Po jua shpjegoj prapambetjen nëpërmjet një barcolete, ku shqiptari thotë: ne po zhvillohemi më shpejt se bullgarët, sepse për aq kohë sa bullgarët e kanë ndërtuan shtetin e tyre, ne e kemi ndërtuar 5 herë Shqipërinë dhe po aq herë e kemi bërë rrafsh me tokën.

Ishte një lloj kimie e pashpjegueshme që Robertin e tërhiqte aq fort dhe aq shpesh të vijë në viset shqiptare. Por, kur e pyesnin nëse do të jetonte me ne, e thoshte pa hatër: Jo!, sepse në një rast të tillë do të jetoja me shumë frustracion, ndoshta do të çmendesha. Unë jam njeri i brishtë dhe duhet të kesh shumë forcë për të jetuar si shqiptar. Vendi juaj është një vend pak i egër për mua. Edhe njerëzit janë pak të egër. E di se është vetëm një fasadë dhe se brenda e keni shpirtin e mirë, por ekziston një egërsirë në marrëdhëniet njerëzore. Ju këtu dini të mbroheni prej kësaj dhe mund të mbijetoni, ndërsa unë do të isha si një lepur dhe nuk do të mund të mbrohesha. Shqiptarët janë njerëz shumë të vështirë dhe shumë të dashur njëkohësisht. Të çmendin herë pas here. Ju jeni viktimë e korrupcionit burokratik, që është me kontinuitet të pandërprerë që nga koha e pushtimit Osman, koha e Zogut, e Enverit dhe kjo e demokracisë. Jeni popull impulsiv, me shumë kontradikta, me shumë ekstreme të skajshme: në të mirë dhe në të keq dhe, unë të tillë ju kam prezantuar nëpër botë, pa i zbukuruar gjërat…

Elsi e dinte se kombi shqiptar, si rrallë ndonjë tjetër, ka pasur vështirësi të zhvillohet, madje të mbijetojë, që vlen edhe për letërsinë shqiptare. Për këtë Ai përdorte shpesh analogjinë e bimës së brishtë në tokën e vështirë shkëmbore, që në disa raste megjithatë mundi të lulëzojë. Por edhe kur ndodhte kjo, shumë herë shkulej dhunshëm. Kështu: letërsia  e hershme katolike u zhduk nga pushtimi osman, letërsia e kohës osmane u zhduk kur shqiptarët e kuptuan se janë komb evropian dhe kur rilindasit iu kthyen Perëndimit; letërsia e traditës së mirëfilltë shqiptare dhe mendimit të lirë, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, u shkatërrua me ardhjen e partizanëve më 1944, letërsia socialiste në dy variantet e saj: enveriste dhe titiste, u shkatërrua me rënien e komunizmit… Ndaj vërtet është habi si mbijetoi njëfarë traditë letrare e kulturore shqiptare?

Roberti thoshte se letërsia shqiptare, mjerish, nuk është e njohur në botë, sepse është letërsi e vogël. Ju keni tirazhe të pakta dhe librat nuk shpërndahen shumë, nuk kanë qarkullim, nuk kanë ndikim në mendimin publik ndërkombëtar. I vetmi autor që ka çarë mirëfilli bllokadën është Ismail Kadareja, shkrimtari që e çon gjuhën shqipe përpara. Të tjerët janë pak të njohur.

Në Shqipëri ka më shumë autorë librash se sa lexues. Ka shumë që duan të shkruajnë dhe shumë pak që duan të lexojnë. Gjithkush dëshiron të shprehet dhe askush askë nuk e dëgjon. Në një botë të tillë është bërë problem shurdhëria… Këtu, autorët e mirë ballafaqohen me një traditë ziliqare, intolerante, dashakeqe dhe shkatërruese, prandaj meritojnë admirim autorët e paktë që, në rrethana të këtilla botojnë diçka me vlerë, diçka që afirmon shqiptarët…

Elsi nuk ishte i kënaqur as me përkthimet letrare, ndaj kërkonte hapjen e shkollave të përkthimit dhe interpretimit. Për mendimin e tij, hiq disa përkthyes, të tjerët e sakatosin letërsinë… Përkthimet që bëjnë shqiptarët janë përkthime të përkthimeve, përkthime të dyfishta, që vijnë nga një gjuhë e dytë apo e trëtë. Kjo është për keqardhje, sepse përkthimet e këtilla shkaktojnë shumë humbje, eshte njësoj si të puthësh nusen me duvak. Nuk ka lexim, nuk ka njohje të drejtëpërdrejtë, por ka një mur në mes. Për këtë shkak deri në vitet  e 80-ta gati nuk dinte kush gjë për letërsinë shqipe.

Mendim kritik kishte dhe për mungesën e përkrahjes institucionale të studimeve albanologjike. Krahasimi që bënte Elsi ndërmjet zhvillimit të shkencave albanologjike të kohës së monizmit dhe të pas viteve të 90-ta, tregojnë se, gjatë ish sistemit, të paktën kishte një fasadë dhe një shkencë të vërtetë. Në fakt, Ai nuk e dine a ishte tamam e vërtetë, po kishte institucione serioze, kishte njerës që punonin seriozisht në fushën e albanologjisë, kishte fonde shtetërore, sepse sistemi ishte shtetëror. Tani, me kapitalizmin e egër që kini, thoshte Ai, ka më pak fonde për mbështetjen e kulturës dhe albanologjisë. Prandaj në këto fusha nuk janë bërë akoma as hapat e parë dhe mua më vin keq që kjo punë është lënë mënjanë. Shkencëtarët e moshuar të Shqipërisë dolën në pension në varfëri të skajshme, kurse shkencëtarët e rinj shkuan të punojnë në kantieret e Greqisë. Në Kosovën e sotme është më e levërdijshme të punosh diku si roje apo shofer i UNMIK-ut se sa të merresh me shkëncën albanologjike. Prandaj kemi gjendje të mjerë të albanologjisë…

Për fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thoshte se është vetëm një gjysëm e vërtetë. Ai kërkoi me ngulm dhe me vite të tëra nëpër trevat shqipfolëse gjithçka që i duhej – fjalë dhe letërsi gojore. Gjeti dialektin më të vjetër të shqipes në të folmen e Peloponezit, që është gjuhë që po vdes. Shkoi në Plavë e Guci, takoi shqiptarë dhe u habit me fondin e fjalëve shqipe që nuk i gjente dot në fjalor. Sipas tij, kjo i bën të huajt të paaftë të përkthejnë nga shqipja në gjuhët tjera. Është mjerim që shqipes i mungojnë fjalët që përdoren në shumë zona. Kjo e bën gjuhën të cunguar…

Robert Elsit i dhimbte më shumë se shqiptarëve e dhëna se kishte shumë libra që qarkullojnë nëpër botë me të pavërteta për ne. Thoshte se botimet e Beogradit ishin plot me gënjeshtra e mohime të realitetit, ndërkohë që shqiptarët interesohen më shumë për çështje lokale, rajonale dhe jo për çështje mbarëkombëtare. Ju keni prirje për të sabotuar njëri-tjetrin. Ju keni mure brenda trurit dhe nuk e kuptoni se interesat tani duhet t’i mbroni me një zë të vetëm, me mençuri dhe me arsyetimin e një populli evropian…

Prandaj, them se, për nga ndikimi që pati në publikun lexues perëndimor dhe jo vetëm, vepra e Robert Elsit qe më e rëndësishme se gati gjithë veprat e studiuesve shqiptarë bashkë. Ai qe me vite zëri vetmitar i përhapjes së të vërtetës sonë në botë përmes veprash konkrete shkencore e letrare. Ai qe dhe korrekori i plogështisë sonë kronike, qe pasqyra ku mund ta shihnim dhe ta shohim vetveten, qe dijetari institucion, avokati mbrojtës dhe denoncuesi dashamirës njëkohësisht, qe një tip shqiptari, i krahasueshëm vetëm me korifejtë e papërsëritshëm të kulturës sonë, që nga De Rada e Konica e gjer te Kadareja…

Shi për këtë ne e ndjejmë me dhimbje ikjen e tij në botën tjetër. E ndjejmë si humbje të pakompensueshme të shkencës albanologjike, sepse Roberti vërtet ishte shumë i veçantë dhe i rëndësishëm për hapërimin tonë përpara, për imazhin ndryshe të shqiptarëve, për konsolidimin e Shqipërisë së zemrës së Tij.

Prehu në paqe vëlla Robert dhe faleminderit për gjithçka që bëre për ne!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button