Hapet thertorja e parë publike në Tiranë, Veliaj: Standard i ri (FOTO)

Në Tiranë hapet thertorja e parë publike duke krijuar një standard të ri të tregtimit të mishit.  Kjo thertore, në zonën e Vaqarrit, do të ofrojë produkte të certifikuara e me standarde, transmeton Top Channel.

Duke e cilësuar si një çështje që lidhet drejtpërdrejt edhe me sigurinë kombëtare, Veliaj  deklaroi se ka ardhur koha që të gjithë të mendojnë seriozisht për sigurinë ushqimore.

“Kjo punë nuk ka të bëjë me sigurinë ushqimore, por me sigurinë kombëtare. Ka ardhur koha t’i mendojmë seriozisht këto, ta marrim seriozisht jetën, që nga mënyra se si kalojmë rrugën, deri te ushqimi që fusim në stomak. Kjo thertore vendos një standard. Ashtu si në shumë fusha ku kemi futur një operator publik, qoftë për pastrimin, edhe në nisma të tjera ku publiku po bën një punë më të mirë se privati, ashtu do fillojë edhe në industrinë e konsumit dhe përpunimit të mishit. Po fusim një operator publik, së pari për të ulur çmimet në treg, duke qenë se kemi çmime shumë më konkurruese se sa privati; së dyti, për të rritur cilësinë dhe për t’u thënë të gjithëve standardi ynë është ky”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi prej operatorëve privatë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e tregtimit të mishit që të garantojnë të njëjtat standarde dhe kushte higjienike sikurse edhe thertorja publike e Bashkisë së Tiranës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në këtë nismë të Bashkisë për ndërgjegjësimin dhe garantimin e standardeve më të larta për sigurinë ushqimore që të kërkojnë paraprakisht certifikatën e lëshuar nga veterineri.

“I kërkoj të gjithë qytetarëve bashkëpunim. Përveçse do të kemi thertoren publike, do të vazhdojmë certifikimet edhe për thertoret private, por ama duhet që qytetarët të bashkëpunojnë, të kërkojnë certifikatën e mishit që janë duke konsumuar, e mishit që janë duke blerë, për të kuptuar historinë e asaj që po konsumon. Nëse do të kemi këtë bashkëpunim edhe nga fermerët që përdorin gjithmonë e më shumë instrumente publik të kontrollit, edhe të shërbimit, por edhe nga qytetarët që kërkojnë këtë garanci në formë të certifikatës, mund të kemi një Tiranë më të sigurtë”, theksoi Veliaj.

Tirana ka zyrtarisht 300 subjekte të tregtimit të mishit. Veterineri i Bashkisë Tiranë do të jetë i pranishëm në këtë Thertore Publike duke garantuar përmes vulës, standardet e mishit që del nga ky ambient. I gjithë procesi realizohet me parametra ndërkombëtarë, kushte maksimale higjieno-sanitare dhe nga personel i kualifikuar. Gjithashtu, transporti me mjet frigoriferik do të kryhet nga Thertorja Publike tek pika e shitjes, duke eliminuar në këtë mënyrë edhe transportimin e mishit pas bagazhit të makinave private.

Hapet thertorja e parë publike në Tiranë, Veliaj: Standard i ri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button