Haradinaj merr zyrtarisht drejtimin e Qeverisë së Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot e ka marrë zyrtarisht drejtimin e Qeverisë së Kosovës.
Pranim-dorëzimi i detyrës është bërë në një ceremoni solemne nga ish- kryeministri, Isa Mustafa te kryeministri i ri i vendit Ramush Haradinaj.
Mustafa me këtë rast i ka dorëzuar një përmbledhje të punës të cilën kabineti i tij i ka përfunduar gjatë kohës sa ishte në këtë detyrë.
Siç është bërë e ditur në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Haradinaj, me rastin hyrjes në detyrë e pret sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delavju, i cili njëherësh është takimi i parë si kryeministër.
Haradinaj është zgjedhur kryeministër me 61 vota gati tre muaj pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Kjo qeveri numëron gjithsej 21 ministri.